Miratohet Projektligji për bankat, Murati: Synohet rregullimi i aktivitetit bankar e
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për bankat, i cili synon rregullimin e aktivitetit bankar dhe financiar të bankave në Kosovë në funksion të nxitjes së një sistemi sa më të qëndrueshëm financiar.
Po ashtu, përmes këtij projektligji rregullohen kriteret për themelimin dhe licencimin e bankave, organizmin dhe menaxhimin e shëndoshë të tyre, mbikëqyrjen, rimëkëmbjen, përmbylljen dhe likuidimin e tyre.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ky projektligj përcakton masat përmirësuese dhe gjobat administrative që lidhen me procesin e rimëkëmbjes, përmbylljes dhe likuidimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja.
“Ky projektligj synon rregullimin e aktivitetit bankar dhe financiar të bankave në Republikën e Kosovës në funksion të nxitjes së një sistemi sa më të qëndrueshëm financiar, duke siguruar një nivel të duhur të mbrojtjes së interesave të depozitorëve”, ka thënë Murati.
Murati ka theksuar se me miratimin e këtij ligji janë rritur kërkesat për kapitalin themeltar për bankat në 10 milionë euro nga 7 sa ishte me ligjin në fuqi. /KP