Miratohet projektligji për konfiskimin e pasurisë së fituar përmes vepër penale
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës, ka miratuar projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, përmes së cilit po synohet konfiskimi i çfarëdo pasurie të fituar përmes vepër penale.
Projektligji që është dërguar në Qeveri nga Ministria e Drejtësisë, përcakton kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë atëherë kur procedurat e detajuara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës nuk janë të mjaftueshme.
Ky projektligj ka për qëllim marrjen e hapave vendimtarë ndaj keqpërdoruesve, ndaj personave që merren me krim të organizuar, ndaj personave zyrtarë e politikë që mund të pasurohen përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka prezantuar në një konferencë për medie, Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.
Tahiri ka thënë se ky projektligj mbetet më i rëndësishmi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai ka thënë se çfarëdo pasurie e cila është fituar me vepër penale dhe kap shifrën 10 mijë euro do të konfiskohet. “Ky projektligj është ndër më të rëndësishmit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky projektligj përçon një mesazh të rëndësishëm për të gjithë ata që me vite janë pasuruar me vepra penale. Jam i bindur se me këtë projektligj po e bëjmë hapin përfundimtar ndaj atyre që janë pasuruar me vepra penale. çdo gjë do të konfiskohet përderisa nuk është fituar në mënyrë të ligjshme. Pra, çdo pasuri që kap vlerën 10 mijë euro do të konfiskohet. Për vitin 2018 është rritur stafi dhe do të jenë 300 punëtorë të rinj. Jemi në proces të rekrutimit edhe të 39 gjyqtarëve të rinj gjatë këtij viti”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar edhe Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si dhe janë shqyrtuar edhe disa vendime të tjera.
/Epoka e re/