Miratohet Projektligji për mësimdhënësit e viteve të ‘90-ta
Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka dhënë “bekimin” projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990-të.
Me këtë rast, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se e kanë futur këtë projektligj në buxhetin e vitit 2019, por ka shtuar se ky projektligj e ngarkon buxhetin e Kosovës.
“Kur jemi të çështjet sociale duhet të bëjmë më shumë kujdes sepse kështu po e dëmtojmë buxhetin tonë. Duhet me pas kujdes sa mundemi t’i financojmë çështjet e tilla, megjithatë drafti i ri i cili nuk është i njëjtë si ai që ka kaluar në lexim të parë është komplet tjetër dhe komisioni i Arsimit ka bërë mirë që i ka ndarë në 9 kategori dhe jo vetëm në 2 siç ishte në fillim”, ka thënë Hamza.
Megjithatë, Hamza ka thënë se ka frikë se pas mësimdhënësve do të kërkojnë edhe kategoritë e tjera kompensim të njëjtë.
Kurse, kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk e mbështetë këtë projektligj, pasi sipas tij nuk ka të bëjë me varfërinë në përgjithësi po për individë të caktuar.
Në anën tjetër anëtarja e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se ky pension ju takon mësimdhënësve që të ju shpaguhet mundi.
“Pavarësisht presionit ky është premtim elektoral që e ka bërë kryeministri dhe sindikatat e kanë kërkuar atë që i është premtuar, por drafti i ri është më i mirë se drafti qe ka kaluar në lexim të parë”, ka thënë Nagavci, raporton “kallxo.com”
Ndryshe, ky projektligj për mësimdhënësit është njëri ndër ligjet më të përfolura të këtij viti.
Ky madje kishte sjellë edhe reagime nga ana e ndërkombëtarëve. BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar patën deklaruar se ky ligj ka implikime buxhetore.
Në fillim përfituesit ishin ndarë në dy kategori: 5 dhe 10 vite, por pas miratimit të leximit të parë në Kuvend, komisioni për Arsim kishte vendosur që ta ndajë në 9 kategori.