Miratohet projektligji për skemat pensionale
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Me këtë projektligj, është krijuar edhe një skemë e re e quajtur “skema e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.”
Në këtë skemë janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe për rrjedhojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.
Miratimi i këtij projektligji është bërë me procedurë të përshpejtuar përmes kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga 41 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Të pranishëm në votim ishin edhe deputetët e LDK-së të cilët edhe dhanë votën pro për këtë projektligj.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar që ky projektligj të shqyrtohet e pastaj të sillet sërish në Kuvend sipas afateve.
Paraprakisht, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh sot se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti njëherë e përgjithmonë e rregullon çështjen e skemës pensionale.