Miratohet Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, për të cilin nga 64 deputetë sa ishin prezent, 61 kanë voton për, 3 kanë abstenuar, ndërsa kundër nuk votoi askush.
Në mungesë të ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës, këtë projektligj e ka paraqitur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
Ai, ka thënë se në regjistrin kombëtar janë mbi 182 mijë ndërtime pa leje, ndërsa vetëm 8 mijë kanë aplikuar për legalizim.
Reçica, duke bërë thirrje që të miratohet ky projektligj ka theksuar se në të përfshihen edhe të drejtat pronësore, menaxhimi i tokës dhe ndërtimit.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka thënë se mund të ketë edhe objekte të institucioneve shtetërore që nuk kanë dokumentacione.
“Jemi dakorduar që ky ligj konsiderohet një nga ligjet më të rëndësishme. Prishtina prinë me mbi 50 % të ndërtimeve pa leje, pastaj shkojmë me autostrada e aeroporte e mos të flasin për institucione që ndoshta nuk janë të pajisura me dokumentacione. Duhet t’i trajtoj të gjitha ndërtesat që nuk i plotësojnë kushtet për legalizim”, është shprehur Haradinaj.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka shprehur mbështetjen e kësaj lëvizje për këtë projektligj, përkundër se e ka konsideruar projektligj të padrejtë, por të domosdoshëm.
“Është një ligj i padrejtë, por është i domosdoshëm. Me këtë ligj të gjitha këto ndërtime kanë të drejtë të legalizohen dhe është e padrejtë në raport me ata ndërtues që kanë ndërtuar me leje dhe i kanë ndjekur procedurat”, ka potencuar Aliu.
Ai, ka thënë se sipas këtij projektligji të gjitha ndërtimet pa leje që janë ndërtuar deri në datën kur hynë në fuqi do të legalizohen.
Duke përmendur disa mangësi të këtij projektligji, Aliu ka nënvizuar se duhet të bëhet defenimi i qartë i kategorive të ndërtimeve, duhet të trajtohen uzurpimet e përbashkëta dhe të definohet çështja e bashkëpronësisë në tokë.
Ashtu si ligji paraprak, sipas Aliut, edhe ky mund të dështojë nëse Qeveria nuk merr parasysh çështjen e stafit që do të punojë në legalizimin e ndërtimeve pa leje.
“Mund të dështojë në rast se Qeveria nuk merr parasysh çështjen e stafit që do ta realizojë. Komunat nuk do të kenë mundësi të paguajnë staf shtesë. Në ligjin e kaluar stafi shtesë ka qenë me kontrata mbi vepër dhe ligji nuk lejon kontrata të tilla më gjatë se 6 muaj, e kjo procedurë zgjatë më shumë Qeveria duhet të definojë çështjen e stafit”, ka shtuar ai.
E, në mënyrë që ky ligj të ketë sukses, deputeti i VV-së ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave duhet t’u ndajnë buxhet komunave për staf.
Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri ka shprehur vërejtje në strukturën e këtij projektligji. Ajo, ka kërkuar që të ketë shmangie të fjalëve të huaja e të theksohet afati për njoftimin paraprak.