
Miratohet projektrregullorja e Kuvendit
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka miratuar në parim projektrregulloren e Kuvendit, të propozuar nga grupi punues, i cili drejtohej nga deputeti Hajdar Beqa.
Deputeti Beqa ka thënë se kjo projektrregullore është një version i avancuar i Rregullores, harmonizuar me dispozitat kushtetuese dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, ky draft avancon aspektin legjislativ dhe mbikëqyrës të Kuvendit, si dhe rolin e Kuvendit në çështjet e integrimit evropian.
Po ashtu ky komision ka miratuar raportin me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Pas diskutimeve nga anëtarët e këtij komisioni, është miratuar edhe propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me kandidatët për anëtarë të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës.