Miratohet propozimi i Topallit për krijimin e komisionit për tribunalin
Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Faton Topalli, në seancën e sotme gjatë votimit për formimit e komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, ka propozuar të krijohet një komision parlamentar, ku do të harmonizohen qëndrimet e gjithë deputetëve, e pastaj të harmonizohet edhe një tekst.
Me 62 vota për dhe asnjë kundër, është miratuar propozimi i Topallit.
“Propozimi im konkret është që Kuvendi i Kosovës të krijoj një komision parlamentar, i cili pastaj do ta ketë për bazë këtë tekst, i cili na është dorëzuar ne, t’i harmonizojmë qëndrimet dhe pastaj bashkërisht, pra duke pasur këtë parasysh këtë rëndësi të madhe të çështjes, për të cilën kemi diskutuar edhe javët e kaluara në kuvend, që të ulemi bashkërisht dhe ta harmonizojmë një tekst, i cili do të miratohet me shumicë e anëtarëve të Kuvendit”, ka thënë Topalli.
Ai ka thënë se janë për krijimin e një tribunali dhe vënien e drejtësisë dhe të ndiqen të gjithë ata që kanë shkaktuar krime të luftës.
Sipas tij, duhet të kalohen vijat dhe interesat partiake, e të krijohet një konsensus mbipartiak, për krijimin e një tribunali.
Pjesë e këtij komisioni janë: Vjosa Osmani, Memli Krasniqi, Sami Kurteshi, Muharrem Nitaj, Dardan Molliqaj, Enver Hoti, dhe Duda Balje