Miratohet raporti i punës së Trustit, rreth 200 milionë euro do të tërhiqen nëse miratohet Projektligji
Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar raportin vjetor të punës të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2019.
Ky raport ka marrë të gjitha votat për.
Me këtë rast, Ruzhdi Morina, kryesues i Bordit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, gjatë prezantimit të raportit në komisionin për Buxhet dhe Transfere, ka thënë se në vitin 2019 për herë të parë 25 për qind të investimeve ishin të orientuara në Kosovë.
Sipas tij, me tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale pritet që rreth 200 milionë euro të tërhiqen nga fondi. “Fondi në vitin 2019 kishte filluar me një ekspozim të lartë të rrezikut. Gjatë gjithë vitit ishim të kujdesur për shkak se tregjet financiare ishin në presion në marrëdhëniet ndërkombëtare ShBA-Kinë por, në fakt, përformuam mirë. Kishim rritje të ulët për investimet jashtë vendit për rreth 130 milionë euro. Në vitin 2019 për herë të parë kishim ndryshim. 25 për qind të investimeve ishin të orientuara në Kosovë. Ne kemi vazhduar t’i përmbushim të gjitha detyrat. Numri i shërbimeve është duke u rritur dhe kemi 190 mijë kontribuues online. Gjatë vitit janë shpërndarë gjithsej 53 milionë euro”, është shprehur Morina.
Ai ka bërë me dije se nuk kanë qenë të përfshirë në idenë fillestare të tërheqjes së 10-përqindëshit nga Trusti. “Se a duhet a jo, vlera e 10-përqindëshit, në bazë të shifrave, çon rreth 200 milionë euro”, është shprehur ai.
Drejtori i Fondit i Kursimeve Pensionale të Kosovës, Ardian Zalli, ka thënë se 160 milionë euro janë të painvestuara dhe kurdo që kalon ligji, ato mund të shpërndahen te kontributdhënësit që janë të interesuar.
Kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, i ka bërë thirrje koalicionit qeverisës ta kalojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike dhe mos ta fajësojë opozitën.
Për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike ka pasur dy tentime për votim por, në mungesë të kuorumit, ka dështuar të votohet ky projektligj.