Miratohet rekomandimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së, opozita e quan vendim politik
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka miratuar Rekomandimet e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në lidhje me shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Në mbledhjen e sotme të Komisionit është kërkuar që të iniciohet shkarkimi i Bordit për shkak të paaftësisë profesionale, që Bordi të jetë personalitet me integritet të lartë profesional dhe etik, si dhe të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit për RTK-në.
Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë rekomandimet e Komisionit për Buxhet japim mjaftë detaje dhe tregojnë që Bordi i RTK-së ka shkelur nenin 28 e 29 të Ligjit.
Nënkryetari i këtij komisioni, Mërgim Lushtaku ka thënë se të gjeturat nga Komisioni për Buxhet nuk janë evidente që të iniciohet një shkarkim i këtij Bordi.
Po ashtu Lushtaku ka pranuar se RTK-ja nuk është në formën më të mirë, por ka thënë se shkarkimi nuk duhet të bëhet për çështje politike.
Kurse anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Veliu ka thënë rekomandimi për shkarkim po bëhet tërësisht politik me qëllim të kapjes së mediumit publik.