Miratohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar rezolutën për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë.
Në favor të kësaj rezolute kanë votuar 79 deputetë, aq sa kanë qenë në seancë plenare.
Kjo rezolutë është paraqitur para deputetëve të Kuvendit nga deputeti Billall Sherifi, i cili ka qenë kryetar i Komisionit për hartimin e rezolutës në fjalë.
Sipas kësaj rezolute 15 janari do të jetë data kur do të shënohet Dita e Gjenocidit në Kosovë.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar rezolutën për krijimin e këndit të kurajos që përfshinë punime artizanale të grave të dhunuara gjatë luftës, e cila është prezantuar nga deputetja, Donika Kadaj-Bujupi.
Pas miratimit të këtyre dy rezolutave, Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 21:00, ku pritet të vazhdojë punimet në lidhje me formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.
/Epoka e re/