Miratohet rishikimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2021
28 korrik 2021
| 14:07
Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin për vitin 2021.
Vetëm një amendament i opozitës ka kaluar nga 35 sa kishte propozuar.
Amendamenti i opozitës është bërë nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, për ndërtimin e një kopshti fëmijësh në Skenderaj.
Në hyrje të diskutimit, kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja ka thënë se, disa nga kontratat që kanë qenë për efektet paraelektorale janë anuluar. Muja ka thënë se buxheti për vitin 2021 është parashikuar të jetë 2.4 miliardë euro.