Miratohet vendimi i qeverisë për zgjedhjen e bordit të KPMM-së
Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për Ekonomi me gjashtë vota për ka mbështetur vendimin e qeverisë për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit investitor strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”.
Komisioni në fjalë në dy mbledhjet e kaluara ka shqyrtuar këtë vendim, për të cilin ka pasur kritika nga opozita.
Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, ka theksuar se debati për këtë vendim është shterur në dy mbledhjet e kaluara.
“Ne për këtë pikë kemi diskutuar së paku dy herë në Komision dhe konsideroj që debati është shterur. Ka mbetur në mungesë të kuorumit çështja e votimit dhe besoj që është koha të qesim në votim dhe të procedojmë më tutje. Me 6 vota për, miratohet vendimi i Qeverisë”, ka thënë Shala, raporton “Ksp”.
Po ashtu, deputetët kanë miratuar vendimin e qeverisë për zgjedhjen e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Shala ka thënë se përkundër vonesave të mëdha, procesi i përzgjedhjes së këtij bordit ka shkuar në terr informativ.
“Procedurën e kanë përcjellë edhe shkelje të tjera, por megjithatë, unë do të rezervohem sot përhirë të procesit dhe nevojës që ka Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale që ta ketë megjithatë bordin, ku janë më shumë se 250 kërkesa dhe lëndë që presin në këtë komision për t’u zgjidhur”, ka thënë Shala.