MIRAZHI POLITIK I PROGRAMIT QEVERISËS KURTI 2

08 maj 2021 | 22:27

Shkruan: Hisen Berisha

Kur nuk ke një objektiv se ku do me arrite, pak rëndësi ka se në cilën rrugë ecën. Kështu e filloj punën edhe qeveria jonë, që deri me tani mund të konsiderohet se po ecte përmendësh.
Por, edhe ky program qeverisës nuk është aq inkurajues.

Është i vetmi program qeveritar që nuk i përmend SHBA-të, dhe partneritetin strategjik me të e zevendeson me Shqiperinë. Ky është refleksion sofist i patetizmit patriotik, që e vë Kosovën në rrezik.

Zhvillimet politike të deritanishme, e bëjnë jo dhe aq të rëndësishëm programin qeveritar në aspektin e politikave zhvillimore. Kjo për shkak se buxheti veç është i miratuar dhe çfarëdo programi që të prezantohet, do të jetë vetëm iluzive që të bëhet më tepër se sa lejojnë zërat buxhetorë që tashmë janë kaluar me ligjin për buxhetin.

Sa i përket, ngritjes së mirëqenies së qytetarëve, kjo qeveri tashmë e ka konceptuar si çështje të masave administrative dhe atyre ligjore të paralajmëruara nga ministrat përkatës.

Shqetësuese në Kosovën që ende se ka përmbyllur çështjen politike të shtetësisë, janë temat e hapura rreth dialogut, demarkimit, obligimeve të mara nga marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara deri me tani në mes Kosovës dhe Serbisë, implementimi i zotimeve të marra nga marrëveshja e Uashingtonit, asanimi i situatës me krimin e organizuar institucional dhe korrupsionin, ndërprerja e degradimit të sistemit arsimor, shëndetësor, bujqësor, planifikimit dhe mbrojtjes së tokës, mbrotja e ajrit, mbrojtja e ujërave, me një fjalë stabiliteti politik i brendshëm që e reflekton edhe politikën e jashtme të vendit.

Shqetësues tashmë është bërë ekipi qeverisës dhe shumë nga deputetët e shumicës parlamentare por kjo në politikë është e drejta ekskluzive e Kryeministrit, të ndërtoj vetë ekipin e fitores.
Ajo çfarë në vlerësimin tim e bën më të ndjeshme situatën është qëndrimi personal programor dhe ekipor i kryeministrit të vendit lidhur me temat që janë gjeostrategjikisht dhe gjeopolitkisht, jetike për ekzistencën dhe mbijetesën tonë si shtet dhe popull, e kjo është raportet me Shtet e Bashkuara të Amerikës.

Futja e politikave evropiane në mes Kosovës dhe Amerikës, është zhbërja e tërë asaj që u arrit në Kosovë me planin, mbështetjen politike-ushtarake dhe suportimin amerikan.

Kryeneçësia në raport me SHBA dhe refuzimi i zbatimit të marrëveshjes së zotimeve të Uashingtonit me deklarimin e fjalën e mbajtur në samitin e BE se, “nuk mendonim ta zbatojmë atë marrëveshje” ishte fyerja me e rëndë diplomatike dhe politike që mund ti bëhet një shteti superfuqi dhe garantues i ekzistencës sonë shtetërore dhe kombëtare që nga presidentit Wilson e deri në ditët e sotme.

Marrëveshja e Uashingtonit i jep Kosovës subjektivitet ndërkombëtarë në raport me Serbinë dhe i shmangë të gjitha pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, qoftë me “minishengenit” Made in Vucic –Rama &Co, qoftë në ruajtje e aseteve strategjike të vendit.

Me këtë marrëveshje, e bën irelevant dhe kushtëzues për njohjen e pavarësisë edhe asociacionin me kriteret e vendosura nga Gjykata kushtetuese. Krijon komoditet për Kosovën që së pari të kërkoj njohjen e pavarësisë nga Serbia, për t’ia mundësuar implementimin e asociacionit kushtetues.

Kjo marrëveshje, është mjeti i vetëm juridik ndërkombëtarë që Kosovën e vë në raport me të fuqishëm kushtetues ndaj Serbisë me garantimin amerikan. Përndryshe Kosova në raportet evropiane dhe aziatike është në disfavor. Me refuzimin për ta zbatuar këtë marrëveshje qeveria jonë do t’ia mundësoi Serbisë që së pari ta kërkoj implementimin e asociacionit, më pastaj ta kushtëzoj autonominë e këtij asociacioni në shkëmbim të njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, me 42% të territorit nën handikepin e kontrollit serb.

Shmangia e dialogut si objektiv qeverisës, po ashtu i jep mundësi vazhdimit të agonisë politike dhe institucionale për integrime Kosovës, si dhe ia vazhdon Serbisë mandatin pengues ndaj Kosovës në raportet e saja si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare por edhe funksionimin institucional.

Kjo ja pamundëson edhe partnerëve tanë që të ndihmojnë në çfarëdo mënyre Kosovën në procesin zhvillimorë politik.

Ajo që ishte inkurajuese në aspektin populist, si stil i politikbërjes së qeverisë aktuale, ishte edhe objektivi për të ngritur aktakuzë shtetërore ndërkombëtare ndaj Serbisë për gjenocid ndaj popullit shqiptarë të Kosovës.

Në vlerësimin tim kjo është shumë inkurajuese dhe për një sekondë të kalon në mendje e tërë historia e dhimbshme e kombit shqiptarë në raporte konfliktuoze historike me serbët.
Kjo duket e arritshme kur mendoj se dhe populli Armen, pas 100 vitesh arrit të inicioi padinë për gjenocid e krime kundër njerëzimit të kryera nga Turqia.

Por, cili është realiteti i këtij objektivi politik të qeverisë?

Nga prizmi im i vlerësimit, kjo është edhe një farsë elektorale që mbetet në nivelin e deklaratave populiste sa për konsum politik dhe sofizëm filozofik ndaj një populli që tashmë nuk e di se çka përbën prioritet për stabilitetin, mirëqenien dhe perspektivën e tij.

Dhimbjet nga përjetimet e fundshekullit të kaluar nuk kanë më pak peshë se lëndimet që vijnë nga mos përmbushja e pritjeve dhe ëndrrës për një jetë ma të mirë e pa dhimbje në liri, që do të ishte satisfaksionuese për humbjet e pa kompenzueshme që na dha ana e errët e luftës.
Duke i njohur proceset politike dhe marrëveshjet ndërkombëtare nëpër të cilat ka kaluar Kosova në rrugëtimin e sajë politik, pas luftës, z. Kurti e ka të vështirë inicimin e një nisme të tillë për akuzë, siç e ka po ashtu të vështirë të inicioj edhe procesin e dëmshpërblimit për dëmet e luftës.

Prandaj vlerësoj se qytetaret e Kosovës duhet të kursehen nga loja me emocionet e tyre, kur dihet se ka ende plagë të hapura dhe që janë të pa asanueshme me asnjë akt politik.

Nuk meritojnë qytetarët tanë të luhet me emocionet e tyre që i kanë plagët në mungesën e më të dashurve dhe traumat nga përjetimet personale të shume qytetarëve.
Ajo që e zbehu edhe jehon e këtij programi të vonuar qeverisës, ishte edhe qëndrimi që mbajti qeveria ndërlidhur me ofrimin e garancisë apo sigurimin e saj nga shtetet e treta, për të arrestuarit në Hagë.

Qëndrimi se Kosova nuk mund ta bëj këtë ishte i pabazuar nëse analizohet statusi i TS për Kosovën. Transferimi i sovranitetit të funksionimit të kësaj gjykate nga Kosova si themeluese, nën kompetencat dhe në raport hierarkik ligjor me BE, e kalon Kosovën në rendin e shteteve të treta. Përkundër fakti se këto dhoma u krijuan me vendimin e institucioneve të Kosovës dhe bazuar në Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës, këto dhoma tashmë janë jashtë ingirencave të juridiksionit kosovarë.

Kjo edhe ia mundëson Kosovës që të jetë garantues i mbrojtjes në liri të të akuzuarve nga ky TS. Po ashtu, këtë e mundëson edhe fakti parimor institucional se këto pushtet janë të ndara dhe nuk ka inkompatibilitet në asnjë situatë. Kjo po, do të ishte nëse brenda kmpabilitetit lëndor, do të kishte ndërhyrje në procedure, sanksion apo dëshmitarë.

Këto të gjitha janë të pamundura proceduralisht. Pastaj ajo që duhet iniciuar dhe është më afër realiteti të realizohet është inicimi dhe parashtrimi i padive ndaj të identifikuarve serb, për kryerje të veprave penale dhe krimeve të luftës gjatë okupimit të regjimit të Miloshevicit deri në qershorin ’99. Kjo u konsiderua e mundur nëse interpretohet drejte ligjit për themelimin e këtij TS, edhe nga vet kryetarja e këtij tribunali znj. Trendafillova.

Por, nuk mjafton vetëm baza ligjorë për të vu në veprim institucionet e Kosovës. Duhet edhe vullneti dhe respekti për vlerat e luftës dhe lirisë si dhe për bartësit e këtyre vlerave. Por njëjtë është e sigurtë se edhe nëse farë s’do të ekzistojnë një ditë bartësit e këtyre vlerave, historia më nuk mund të rishkruhet dhe as përsëritet në dimensionin e lavdisë që pati në vitet e luftës për liri.

Një objektiv tjetër i qeverisë sonë, që tregon se ka pushtet që nuk e ka prioritet jetën e qytetarëve ishte dhe angazhimi për të siguruar dhe vaksinuar vetëm për 60% të popullsisë për ketë vit. Kjo më asocioi menjëherë në dilemën se, kjo qeveri a po planifikon që 40% e popullit, sikur pandemia të jet më agresive, edhe po u mendojka të vdesin?! Pra nëse i shohim në shifra i bie që do të vaksinohen 1,020,000, ndërsa 680,000 qytetarë planifikohen të vdesin, sa i përket interesimit të qeverisë, nëse virusi bëhet më agresiv. Në këso rrethana duhet lutur Zoti për shpëtim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një incident i papritur ka ndodhur para një supermarketi në…