“Mirë se vini në Prishtinë”, mbishkrimi që po vendoset në hyrje të kryeqytetit
Në hyrje të Prishtinës po vendoset një mbishkrim mikpritës me gurë dekorativë.
Mbishkrimi “Mirë se vini në Prishtinë” do të jetë edhe në gjuhën shqipe edhe në atë angleze. Ajo do të vendoset te unaza që çon nga Fushë Kosova në Prishtinë.
“Ky është një projekt që është planifikuar qysh në fillim të vitit, kemi paraparë vendosje të gurëve dekorativë që të vendosen në hapësira të ndryshme në kryeqytet, pikat kryesore kanë qenë që të vendosim diku një mirëseardhje për këdo që vjen në Prishtinë dhe pasi i kemi analizuar gjitha hapësirat kjo ka rezultuar si më e përshtatshmja në kuptim edhe të mundësive për me i vendosë gjithë këto shkronja”, ka thënë për Klan Kosovën, Medina Braha, drejtoreshë e shërbimeve publike në Prishtinë.
Pos gurëve, mbishkrimi pritet të dekorohet edhe me drita dhe po ashtu aty pranë do të vendoset edhe një simbol i Prishtinës.
“Projekti është projekt i Drejtorisë së Shërbimeve Publike që është i kontraktuar nga një operator privat i cili është duke e bërë këtë punë, sot e kemi angazhuar edhe hortikulturën për ta bërë frezimin e hapësirës, sepse tash do të vendoset edhe bari pas shkronjave. Shkronjat do të rrethohen edhe me drita, me ndriçim led. E kemi edhe një xham të kalitur ku do të jetë si simbol i Prishtinës, 4 e 70 me 2 e 70, po ashtu me ndriçim që të shihet edhe natën”, ka shtuar Braha.
Braha tregoi se kjo hapësirë nuk do të jetë e vetmja që do të dekorohet, ajo përmendi edhe rrethin te rruga B. Ajo tha se brenda dy javësh do të përfundojë puna në këto dy hapësira.
“Besoj që brenda dy javëve do t’i përfundojmë punimet edhe këtu edhe te MAXI 24”, përfundoi ajo.