Mirënjohje dhe çmime të zgjedhura për Adem Demaçin

01 mars 2018 | 11:49

Selatin Novosella

-“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (16)

1. Revista “Forumi” (21 shkurt 1994): Adem Demaçi propozohet për çmimin “Nobel” për paqe
Revista “Forumi”, e cila botohet në Prishtinë, e datës 21 shkurt 1994, njofton se Adem Demaçi është në mesin e të propozuarve të tjerë për çmimin “Nobel” për paqe, për vitin 1994.

2. Gazeta “Bujku” (26 tetor 1995): Adem Demaçit iu dha çmimi “Lizel dhe Lio Aitinberg”
TVSH-ja dhe gazeta “Bujku” njoftojnë se Universiteti i Osllos, për vitin 1995, i ndau Adem Demaçit Çmimin tradicional të këtij universitet “Lizel dhe Aitinberg”, i cili mbanë emrat e bashkëshortëve, të cilët gjithë jetën ia kushtuan luftës për lirinë dhe të drejtat e njeriu.

3. Komuna e Prishtinës (28 nëntor 1999): Adem Demaçit i ndahet mirënjohja “Çlirimtar i Prishtinës”
Me rastin e shënimit të 28 Nëntorit 1999, në Prishtinën e lirë pas 28 nëntorit 1912, Komuna e Prishtinës i ndau Adem Demaçit mirënjohjen “Çlirimtar i Prishtinës”.

4. Akademia Kulturore “Iliria” (19 prill 2002): Adem Demaçit i ndahet “Medalja e Akademisë” nga Akademia Kulturore “Iliria”
Akademi Kulturore “Iliria”, në Romë, më 19 prill 2002, ia ndanë “Medaljen e Akademisë” personalitetit të shquar shqiptar, Adem Demaçit. Kjo Medalje është e nënshkruar nga Nermin Vlora-Falaski.

5. Shoqata “Mëmëdheu” (23 shkurt 2003): Adem Demaçit i ndahet mirënjohje nga Shoqata “Mëmëdheu”
Me rastin e 10-vjetorit të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Mëmëdheu”, në St. Gallen të Zvicrës, i ndahet Adem Demaçit mirënjohje me motivacion: “Për kontributin e dhënë në mbarëvajtje të veprimtarisë së Shoqatës dhe kontributin e veçantë në luftën çlirimtare të UÇK-së”.

6. SHBPK (27 nëntor 2006): Adem Demaçit i jepet mirënjohje nga SHBPK
Me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, i ndahet mirënjohje Adem Demaçit, “Për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen e Lirisë si dhe në frymëzimin, organizimin dhe kalitjen e brezave të shumtë të luftëtarëve të lirisë”. Mirënjohjen ia dorëzon kryetari i SHBPK-së, Hydajet Hyseni.

7. Klubi Krijues “Rrjedha” (17 janar 2007): Adem Demaçit i ndahet Çmimi “Jusuf Gërvalla”
Siç njofton gazeta “Focus” e Prishtinës, në manifestimin e Klubit Krijues “Rrjedha” në Deçani, i cili u mbajt nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, iu nda Adem Demaçit Çmimi “Jusuf Gërvalla”, për vitin 2007.

8. LSHK (28 tetor 2007): Adem Demaçi fitoi shpërblimin “Pjetër Bogdani”
Siç njofton gazeta “Koha Ditore” e Prishtinës, në manifestimin “Takimet e shkrimtarëve Hivzi Sulejmani”, ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi, fitoi çmimin kryesor “Hivzi Sulejmani” për vitin 2007, për romanin “Dashuria kuantike e Filanit”.

9. Qeveria e Kosovës (27 nëntor 2008): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Kryeministri i Kosovës
Me rastin e shënimit të 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1968, Adem Demaçit, i ndanë mirënjohje Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë motivacion: “Për misionin frymëzues te organizatorët e demonstratave të para të pas Luftës së Dytë Botërore, me kërkesa për: “Vetëvendosje për Viset Shqiptare në pushtimin e ish-Jugosllavisë, Republikën e Kosovës, Flamurin kombëtar, Universitetin e Prishtinës”.

10. Komuna e Tetovës (21 dhjetor 2008): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Komuna e Tetovës
Me rastin e shënimit të 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1968 në viset shqiptare në Maqedoni, Adem Demaçit i ndanë mirënjohje kryetari i Komunës së Tetovës, Hazbi Lika, me motivacion: “Simbolit të qëndresës shqiptare dhe frymëzuesit për organizimin e Demonstratave të vitit 1968, me kërkesat për: “Vetëvendosje të trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi, përdorimin e flamurit kombëtar dhe hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe”.

11. Komuna e Gjilanit (janar 2009): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Komuna e Gjilanit
Me rastin e organizimit të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2009”, Adem Demaçit i ndahet mirënjohje nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.

12. Komuna e Kërçovës (17 janar 2009): Adem Demaçit i ndahet mirënjohje nga Komuna e Kërçovës
Me rastin e organizimit të Manifestimit “Flaka e Janarit 2009” në Kërçvovë, Adem Demaçit iu nda mirënjohje me motivacion: “Për kontributin atdhetar të dhënë gjatë kthesave historike kombëtare”, të nënshkruar nga Fazli Veliu, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

13. Komuna e Vushtrrisë (8 tetor 2009): Adem Demaçit i ndahet Çmimi “Hasan Prishtina”
Në manifestimin kulturor “Ditët e Hasan Prishtinës”, i mbajtur në Vushtrri, më 8 tetor 2009, iu nda Adem Demaçit Çmimi “Hasan Prishtina”. Vendimin për ndarjen e këtij Çmimi të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë e lexoi kryesuesi i komunës, Ferit Idrizi.

14. Komuna e Drenasit (15 qershor 2010): Adem Demaçi shpallt “Qytetar Nderi” i Drenasit
Siç njofton gazeta “Epoka e ee” e Prishtinës, këshilltarët e Komunës së Drenasit, me votat e tyre unanime, kanë vendosur që: “Për kontributin e tij të madh për çështjen kombëtare dhe për rezistencën dhe qëndresën e vazhdueshme në gjitha fazat e përpjekjeve për lirinë e Kosovës, Adem Demaçin ta shpallin “Qytetar Nderi” të Drenasit.

15. SHFD dhe SHIL (nëntor 2010): Adem Demaçit i japin mirënjohje SHFD të UÇK-së dhe SHIL të UÇK-së
Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, i japin mirënjohje Adem Demaçit me këtë motivacion: “Simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për çlirimin e Kosovës”.

16. Presidenca e Kosovës (26 nëntor 2010): Adem Demaçit i jepet urdhri “Hero i Kosovës”
Në vigjilje të Festës së Flamurit, U.D. së presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i jepet Adem Demaçit dekorata më e lartë e Republikës së Kosovës Urdhri “Heroi i Kosovës”, me këtë motivacion: “Për kontribut të veçantë dhënë frymëzimit politik dhe udhëheqjes së rezistencës e luftës për liri e bashkim kombëtar të trojeve shqiptare”.

17. Komuna e Malishevës (3 dhjetor 2010): Adem Demaçit i ndahet Çmimi “Dr. Tafil Kelmendi”
Shoqata për Kulturë dhe Letërsi e Malishevës. “Dr. Tafil Kelmendi”, i ndau Çmimin vjetor Adem Demaçit, me motivacion: “Ky Çmim i ndahet Adem Demaçit për kontributin e dhënë në fushën e kulturës, veçmas në krijimtarinë letrare”.

18. Presidenca e Shqipërisë (10 qershor 2012): Adem Demaçit i jepet dekorata “Nderi i Kombit”
Me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, presidenti Bamir Topi i dha Adem Demaçit dekoratën më të lartë të Shqipërisë, “Nderi i Kombit”. Në këtë solemnitet presidenti Topi tha: “Më lejoni të veçoj në nderimin e sotëm një emër simbol qëndrese dhe disidence, një intelektual atdhetar dhe qytetar, shkrimtarin dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut, “Mendelën e Lirisë” dhe heroin e gjallë të Kosovës, Adem Demaçin. Miku im Adem, jemi me fat që ju kemi sot midis nesh. Ju keni qenë dhe jeni nderi i kombit shqiptar, por nga sot edhe zyrtarisht e meritoni këtë titull të lartë nderimi”.

19. Krijuesit durrsakë (mars 2013): Krijuesit e Durrësit i ndajnë Adem Demaçit mirënjohje
Shoqata e Krijuesve durrsakë i ndajnë mirënjohje Adem Demaçit në Durrës. Mirënjohjen Demaçit ia dorëzon shkrimtari Nikolla Spatharim

20. Komuna e Rahovecit (12 mars 2013): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Komuna e Rahovecit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i jep mirënjohje Adem Demaçit, me këtë motivacion: “Me rastin e 32-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare”.

21. Kolegji “ILIRIA” (17 maj 2013): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Kolegji “ILIRIA”
Kolegji “ILIRIA” në Prishtinë i ndanë mirënjohje Adem Demaçit, me rastin e përurimit të Trilogjisë së autorit Selatin Novosella kushtuar tri gjykimeve të Adem Demaçit. Mirënjohjen Demaçit ia dorëzon rektori i kolegjit, Mixhait Reçi.

22. Komuna e Ferizajt (19 tetor 2013): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Komuna e Ferizajt
Komuna e Ferizajt i ndanë mirënjohje Adem Demaçit, me rastin e përurimit të Trilogjisë së autorit Selatin Novosella, kushtuar tri gjykimeve të Demaçit. Mirënjohjen Demaçit ia dorëzon kryetari i komunës, Agim Aliu.

23. LKSH (28 nëntor 2014): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Lëvizja Kombëtare Shqiptare Pajtimi i Gjaqeve
Lëvizja Kombëtare Shqiptare Pajtimi i Gjaqeve, i ndanë Adem Demaçit mirënjohje me këtë motivacion: “Me rastin e 25-vjetorit të themelimit të kësaj Lëvizjeje, i ndanë mirënjohje Adem Demaçit për veprimtarinë atdhetare dhe humanitare”.

24. Komuna e Prishtinës (11 qershor 2015): Zbulohet Pllaka kushtuar veprimtarisë së Adem Demaçit
Me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, në lagjen “Tophane” është përuruar Pllaka kushtuar veprimtarisë së Adem Demaçit gjatë kohës sa ishte Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pllakën e zbuloi kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

25. RTK (17 tetor 2015): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Radio Televizioni i Kosovës
Me rastin e shfaqjes së filmit dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit, Radio Televizioni i Kosovës i ndanë Demaçit mirënjohje me motivacion: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në avancimin e fjalës së lirë dhe zhvillimin e transmetuesit publik të Kosovës, RTK-së”, të cilën ia dorëzon kryetari i bordit të RTK-së, Ismet Bexheti.

26. Komuna e Mitrovicës (2016): Me emrin e Adem Demaçit emërtohet një park në Mitrovicë
Në vitin 2016, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, komuna e Mitrovicës ka emërtuar një park të qytetit me emrin e Adem Demaçit.

27. Komuna e Prishtinës (2016): Me emrin e Adem Demaçit emërtohet një shesh në Prishtinë
Në vitin 2016, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, komuna e Prishtinës ka emërtuar një shesh të qytetit me emrin e Demaçit.

28. Komuna e Skenderajt (2016): Me emrin e Adem Demaçit emërtohet një rrugë në Skenderaj
Në vitin 2016, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, komuna e Skenderajt ka emërtuar një rrugë të qytetit me emrin e Adem Demaçit.

29. Komuna e Strugës (22 korrik 2016): Adem Demaçit i ndahet mirënjohje nga Komuna e Strugës
Me rastin e manifestimit kulturor të mbajtur në Strugë, më 22 korrik 2016, në shenjë nderimi për 80-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit, kryetari i Komunës së Strugës, Zijadin Sela, i ndau “Mirënjohje” Adem Demaçit.

30. SHBPK (20 dhjetor 2016): Adem Demaçit i ndanë mirënjohje Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës
Në 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës i ndahet mirënjohje me motivacin: “Për kontributin e tij të veçantë për themelimin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, për organizimin dhe afirmimin e saj, veprimtarinë e saj të suksesshme gjatë këtyre viteve dhe për rolin e tij udhëheqës dhe frymëzues për anëtarësinë e gjerë”. Mirënjohjen Demaçit ia dorëzon kryetari i SHBPK-së, Hydajet Hyseni.

31. Asociacioni Ndërkombëtar i Edukatorëve për Paqe Botërore: “Diplomë nderi” për Adem Demaçin
Adem Demaçit, në vitin 1992, Asociacioni Ndërkombëtar i Edukatorëve për Paqe Botërore i ndau “Diplomë nderi” për njohje të shërbimit të jashtëzakonshëm ndaj komunitetit dhe interesimit të dukshëm për të gjithë njerëzit. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bernard Challendes pritet që nesër (e premte) të zyrtarizohet nga…