Mirëpritet miratimi i koncept dokumentit për trajtimin e kuadrit ligjor të tatimeve
Këshilli i Investitorëve Evropian (KIE), ka mirëpritur miratimin e koncept-dokumentit për trajtimin e kuadrit ligjor në fushën e tatimeve.
Shpend Balija drejtor ekzekutiv i KIE-së ka thënë se një tatim i drejt dhe i avancuar do të kontribuojë në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës si dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, dhe njëherësh përafron legjislacionin Kosovar me atë të Bashkimit Evropian, raporton “Epoka e re”.
“Kjo iniciativë po dëshmon se po punohet me një vullnet të mirë dhe seriozitet që të ketë sa më shumë avancime për bizneset vendore dhe ato të huaja, dhe që të eliminohen gabimet ligjore të cilat kanë ndodhur në të kaluarën”, është shprehur Balija.
Balija ka theksuar se të gjitha këto përmirësime janë inkurajuese dhe dëshmi se ka një partneritet të fuqishëm dhe dialog mes përfaqësuesve të sektorit privat si dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Andaj ky partneritet duhet të vazhdojë edhe më tutje dhe të thellohet sepse në fund të fundit kërkohet një bashkëpunim kolektiv i të gjithë spektrit relevant për të bërë ndryshimet e duhura”, ka thënë Balija.
Koncept-dokumenti për trajtimin e kuadrit ligjor të tatimeve dhe procedurave të fushëveprimit të Administratës Tatimore të Kosovës, ka marrë miratimin e Qeverisë. Koncept dokumenti ka bërë analizën e nevojës së rishikimit të të gjitha ligjeve sipas llojit të tatimit dhe Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat. Gjatë rishikimit janë konstatuar mospërputhje të afateve mes ligjeve ndërsa në aspektin përmbajtjesorë janë identifikuar gjatë zbatimit të procedurave nga tatimpaguesit dhe pengesat që janë hasur në praktikë.
Ministria e Financave, me qëllim të adresimit të problemeve me të cilat ballafaqohen tatimpaguesit dhe institucionet e zbatimit të Ligjit, përfshirë këtu edhe problemet përmbajtësore dhe ato teknike të ligjeve aktuale në fuqi, sfidave që lindin për harmonizimin e mëtejmë të këtyre ligjeve me legjislacionin e BE-së si dhe praktikave ndërkombëtare, ka themeluar Grupin Punues për Trajtimin e Kuadrit Ligjor të Tatimeve dhe Procedurave në Fushëveprimin e ATK-së.
/Epoka e re/