
Mirjeta Bytyqi shkëlqen në finale të Kupës së Sllovenisë
Hendbollistja e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës, Mirjeta Bytyqi, ka shkëlqyer të dielën në finale të Kupës së Sllovenisë.
Majtakja Bytyqi i realizoi pesë gola për skuadrën Mlinotest Ajdovshqina, që humbi 36:24 nga skuadra bindshëm më e madhe sllovene, Krim Mercator.
Krim Mercatori pak ditë më parë u paraqit në plejofin e Ligës së Kampionëve. Pra është top-skuadër edhe në nivelin evropian.
Paraqitja e Bytyqit është shumë e rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës, që po të dielën u grumbullua për dy ndeshjet me Suedinë. Grumbullimi është bërë në Suedi, ku të enjten është ndeshja e parë e raundit të fundit kualifikues për Botëror.
Mirjeta bashkohet me ekipin kombëtar të hënën më mëngjes. Ajo është prej lojtareve më të rëndësishme në Kombëtaren e Kosovës.
Pos me pesë gola, Mirjeta Bytyqi dha kontribut edhe me asistime të bukura, ndërsa, si zakonisht, u shqua edhe në mbrojtje.