Miroslav Lajçak “injoron” Kurtin: Do t’i vazhdojmë diskutimet me Osmanin

20 shtator 2023 | 22:26

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pasur “bisedë të detajuar dhe të dobishme” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me ecurinë e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së.

Lajçak, përmes një postimi në platformën “X”, ka njoftuar se me presidenten Osmani ka rënë dakord t’i vazhdojnë diskutimet për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars), ndonëse ka marrë një dyzinë kritikash nga Qeveria e Kosovës.

“Patëm një bisedë të detajuar dhe të dobishme me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për gjendjen e dialogut dhe rrugën përpara drejt avancimit të zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë”, ka shkruar diplomati sllovak të mërkurën.

E presidentja Osmani, pas takimit me përfaqësuesin evropian, me të cilin ka diskutuar për gjendjen aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë se suksesi i dialogut nën patronazhin e BE-së varet nga “zbatimi i balancuar” i Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e shtetit kosovar, në takimin që vjen në kuadër të javës së nivelit të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ka nënvizuar po ashtu se “masat ndëshkuese” të BE-së që po “afektojnë qytetarët tanë” duhet të largohen në mënyrë që dialogu në Bruksel të ketë sukses.

“U takova me Lajcakun në Nju Jork për të diskutuar zhvillimet e fundit në dialog. Theksova se suksesi i tij është i lidhur me zbatimin e balancuar dhe të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe heqjen e masave të BE-së që po prekin qytetarët tanë”, ka shkruar presidentja Osmani.

Qeveria e Kosovës për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin BE-së përgjegjësinë ia ka faturur diplomatit sllovak, i cili, sipas autoriteteve kosovare, javën e fundit e ka “mbushur kupën” me pocizionimin e tij në favor të Serbisë e kundër Kosovës.

E për këtë është i bindur kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, ka flirtuar me teorinë e konspiracionit dhe komplotit. Ai ka thënë se ekziston një skenar, i hartuar nga diplomati sllovak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës në procesin e mëtejmë të dialogut.

BE-ja megjithatë i ka konsideruar “akuza të pabaza” pretendimet e autoriteteve kosovare për njënashmërinë e Lajçakut, ndërsa bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka bërë me dije se pavarësisht këtyre “akuzave të pabaza”, terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” vazhdon të mbetet Brukseli.

Presidentja Osmani ndërkohë ka filluar të marrë një rol më aktiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, posaçërisht në një kohë kur marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare janë në gradën e fundit për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kroacia bëri thirrje për njohjen universale të shtetit demokratik të…