Miroslav Lajçak rendit tri kërkesat e BE-së për Kurtin e Vuçiqin
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje lidhur me takimet në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një postim në Facebook ku ka treguar për aktivitetet e tij gjatë javës që po e lëmë pas, ai ka treguar se në emër të Bashkimit Evropian ua ka prezantuar të dy palëve tri elementet në të cilat duhen të fokusohen.
Ai ka thënë se fillimisht nevojitet depërshkallëzimi i situatës, pastaj zgjedhjet e reja në veri dhe kthimi në Marrëveshjen e Ohrit.
“Në emër të BE-së, pritshmëritë tona të qarta ua prezantuam të dyja palëve, të fokusuara në 3 elemente: 1/ depërshkallëzimi 2/ zgjedhje të reja në veri 3/ kthim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar ai.
Lajçak ka shtuar se në ditët në vijim do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me të dyja palët, duke shtuar se do të ndjekin nga afër zhvillimet në terren.
“E nisa këtë javë me një vizitë në Uashington DC, ku u angazhova në diskutime produktive me kolegë dhe zyrtarë mbi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta BE-SHBA. Ishte shumë e rëndësishme të isha në SHBA dhe të krahasoja shënimet me bashkëbiseduesit e mi gjatë kësaj kohe të ndjeshme. U takova me nënsekretaren e shtetit Victoria Nuland dhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Kemi ndarë një vlerësim të përbashkët për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e lehtësuar nga BE’, ka thënë ai.
Ka shtuar se është takuar gjithashtu edhe me zëvendës-ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar për të shkëmbyer shënime mbi situatën në rajon.
Ka theksuar se vlerësohet shumë bashkëpunimi i ngushtë dhe mbështetja e fortë nga SHBA-ja.
“Për më tepër, pata diskutime domethënëse me disa zyrtarë amerikanë, duke përfshirë Zëvendës Këshilltarin Kryesor të Sigurisë Kombëtare Jon Finer, Drejtoren e Lartë për Evropën Amanda Sloat, Senatorët Chris Van Hollen dhe Chris Murphy dhe Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare Celeste Wallander. Unë isha me fat që u takova edhe me Nënsekretaren e Përgjithshme të OKB-së Rosemary DiCarlo gjatë vizitës së saj të shkurtër në DC. Këto diskutime u rrotulluan rreth situatës së sigurisë, hapave të nevojshëm për de-përshkallëzimin dhe rrugës përpara si në Dialog ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, ka shkruar tutje.
Nga SHBA-ja ka thënë se është kthyer menjëherë në Bruksel për të ndihmuar Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell në mbledhjen e takimeve të menaxhimit të krizës me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministrin Albin Kurti.
“Synimi ynë ishte të gjejmë një rrugëdalje nga situata në veri të Kosovës, e cila vazhdon të jetë shumë e tensionuar”, ka thënë ai.