Mirupafshim, Adem Gashi!
Afrim Hysenaj
Sapo m’u dha kumti i trishtuar për Ty, nuk më shqitej dot nga mendja poezia e Çajupit për Naimin.
Asgjë nuk është e përjetshme në këtë jetë. S’jemi as ne. E dimë këtë gjë. E dije edhe ti që nuk ia kishe tutën vdekjes. Por ti ike shumë shpejt, mik i çmuar dhe na le gojëhapur. Ti ende kishe energji të madhe dhe i duheshe atdheut e brezave pas nesh. Ishe shumë motivues. Na jepje krahë për të shkruar. E shkruara jote rrallëherë gjendet, as nuk kompensohet dot. Ishe i pazëvendësueshëm në mënyrën dhe stilin e fjalës së shkruar. Të kisha idhull dhe krahë të fortë në artin e të shkruarit. Përmes teje e njoha dhe e kuptova këtë art. Jorastësisht të thërrisja Mjeshtër, se i tillë ishe, o Adem Gashi!
Faleminderit për çdo libër, çdo shkrim dhe çdo fjalë që le mbrapa!
Faleminderit për gjithë kurajën dhe bashkëpunimin që na ke dhanë gjithmonë!
Sot u ndava nga ti. Për së fundmi herë hodha dy grushte dhe mbi arkivolin tënd. Një nga unë, një nga Len’or! Do të lexohesh e kujtohesh përjetë ndër breza shqiptarësh.
Të pushoftë shpirti në parajsë, poet!
Autori i këtij nekrologu, autor i dy librave, ka bashkëpunuar me shkrimtarin e ndjerë Adem Gashi gjatë botimit të librave.