“Mirusha”, bukuria e mbushur me mbeturina dhe pa infrastrukturë
Llogaritet si një nga bukuritë më të mëdha natyrore që posedon Kosova, por ujëvarat e Mirushës dhe parku të cilit i përkasin, vazhdojnë të mos kenë infrastrukturë të përshtatshme.
Zona është në kategorinë “Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë “monument natyror”.
Ky monument ka ngecur së zhvilluari përkundër asaj se me vendim të vitit 2012, Qeveria e pati shpallur Zonë të veçantë të natyrës.
Kjo bukuri e rrallë me kushte shumë të mira natyrore, që nuk po shfrytëzohet nga institucionet e vendit për zhvillim të turizmit, vlerësohet të jetë një humbje e madhe për vendin. Kjo, në mungesë të investimeve aty.
Të pakënaqur me gjendjen aktuale në të cilën ndodhet monumenti janë edhe vizitorët që frekuentojnë atë zonë.
Ata ankohen për mungesë të hapësirave për rekreacion, mungesën e shkallëve dhe rrugës së asfaltuar.
Mërgimtari Hysni Ibrahimi ka thënë se ujëvarat e Mirushës nuk ngjan aspak me ujëvarat e vendeve tjera.
“Këtu mungon infrastruktura dhe rruga. Për shembull mungojnë do shkallë që kur të vijmë me e vizituar me pa. Dhe, çfarë është më e keqja, pse me u la njerëzit këtu. Nuk ke vend të bësh një fotografi, për mua kjo është e tepërt. Nuk e di kush duhet ta kontrollojë këtë, shteti apo komuna”, ka thënë ai.
Edhe Enver Sadiku i cili jeton në Londër, është shprehur i zhgënjyer me institucionet e vendit, për të cilat ka thënë se nuk kanë investuar në Mirushë.
“Kushtet natyrore shumë të mira, por kurrfarë investimesh. Do të thotë edhe kjo hapësirë këtu është e uzurpuar. Nuk e di, por si shtet kurrfarë investimi”, ka thënë ai.
E për kushtet në Ujëvarën e Mirushës pati folur edhe ambasadori gjerman gjatë lansimit të fushatës tremujore për Mjedisin dhe javën në diplomaci për klimë të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Vëmendja e tij, kishte rënë mbi pastërtinë, pasi që ka thënë se gjatë një shëtitje atje ka hasur në shumë mbeturina.
Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka shprehur gatishmëri që të ndihmojë në këtë drejtim. Në këtë kontekst, ai ka thënë se përgjegjësi për Ujëvarën e Mirushës ka Ministrisë së Ambientit.
Në anën tjetër, është kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, ka thënë se Ujëvarat e Mirushës ka mbetur në këtë gjendje për shkak të pamundësisë financiare.
Ujëvarat e Mirushës njihet për një biodiversititet shumë të pasur, me ujëvara, kanione e peizazhe shumë të bukura, shpella, mundësi rekreacioni e shumë mundësi përfitimi. Lumi Mirusha gjatë rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanioni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë natyror.