Mirvete Zogjani-Uka boton libër studimor për procedurën penale
Libri studimor, “Gjykimi i drejtë në procedurën penale dhe ndikimi i publicitetit në parimin e gjykimit të drejtë” i autores Mirvete Zogjani-Uka, i cili ka dalë nga shtypi këtë javë, trajton temën e respektimit të publicitetit në gjykatat e Kosovës, në veçanti rolin e medias në gjykimin e drejtë. Vetë objekti i studimit është pikërisht ndikimi i publicitetit në mbarëvajtjen e procedurës penale, masën, dënimin që i shqiptohet, por edhe mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit të të akuzuarit.
Ky libër mëton të shpjegojë këtë fenomen në dy aspekte: në aspektin e mbajtjes së seancave publike dhe në aspektin e ndikimit të medias në formimin e opinioneve, që shpesh i bëjnë gjyq të pandehurit. Sot raportet në mes të sistemit gjyqësor dhe medias gjatë rrugëtimit për zbardhjen e së vërtetës, herë na paraqiten si aleatë, herë si kundërshtarë. Hulumtimet mediatike shpeshherë janë ato që nxitin organet kompetente për të vepruar, sikur ndodh edhe e kundërta, publikimet në medie prishin procesin e hetimeve. Ashtu sikur gjyqësori që ndonjëherë shkel liritë dhe të drejtat e individit, edhe mediet shkelin shpesh jo vetëm parimin e etikës, por edhe dispozitat ligjore të cilat e përcaktojnë lirinë e shprehjes dhe të veprimit.
Autorja Mirvete Zogiani Uka shpreson që me këtë libër të kontribuojë në pasqyrimin e gjendjes reale në vend, në përgjithësi lidhur me parimin e gjykimit të drejtë në procedurën penale në raport me parimin e publicitetit.
Libri ndahet në gjashtë kapituj dhe ka qindra burime. Është botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni.
Shënime për autoren
Mirvete Zogjani-Uka ka lindur në fshatin Harilaq të komunës së Fushë-Kosovës. Ka kryer studimet master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ka punuar në shoqërinë civile dhe është certifikuar për trajnuese të grave në politikë dhe barazi gjinore. Në vitet 2001-2008 ka punuar gazetare në “Radion Kosova e Lirë”. Prej 1 marsit të vitit 2008 dhe aktualisht punon në Radio Televizionin e Kosovës – “Radio Kosovë”. Deri në vitin 2013 ka punuar gazetare, ndërsa nga viti 2013 është redaktore përgjegjëse për informacion në këtë radio. Paralelisht me punën në “Radio Kosovë”, në vitet 2013-2015 ka ligjëruar lëndë të lëmit penal në Kolegjin Evropian “Juridica” në Prishtinë.
Jeton në Prishtinë.