Mision humanitar në QKUK, pritet të operohen fëmijë me probleme në zemër
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë mirëpritur të hënën në QKUK ekipin e mjekëve kardiokirurgë dhe kardiologë të fëmijëve nga Turqia, në kuadër të misionit “Muntada Aid”.
Prezentë ishin edhe këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Elizabeth Gowing, dr. Ramush Bejiqi, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, dr. Violeta Grajqevci, drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza dhe dr. Shpejtim Shurdhiqi, u.d. drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë.
Ekipi i mjekëve nga Turqia do të realizojë intervenime kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër dhe do bëjë ekzaminime kardiologjike.
Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ka falënderuar organizatën “Muntada Aid” dhe ambasadorin Hargreaves për mbështetjen, duke shtuar se ky mision është një mundësi e mirë që fëmijët e Kosovës të përfitojnë intervenime në zemër, pa pasur nevojë të dalin jashtë vendit.
Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves është shprehur i lumtur që ky mision humanitar po realizohet dhe që po përfitojnë fëmijët e Kosovës.
Në emër të ekipit, ka folur dr. Ibrahim Cansaran, i cili po ashtu, ka shprehur kënaqësinë që kanë mundësinë të ndihmojnë fëmijët e Kosovës.
Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë që të përfitojnë eksperiencë edhe stafi vendos i mjekëve dhe infermierëve.
Në përbërje të ekipi mjekësor ka mjek kardiologë, kardiokirurgë, anesteziologë, infermierë dhe teknik të anestezionit. Misioni ka filluar të hënën dhe do të zgjasë 10 ditë.