“Misionari i Kasabasë”, një roman premtues i Ismail Arsllanit
Lulëzim ETEMAJ
Gazetari dhe publicisti nga Tetova, Ismail Arsllani, pas pesë librave publicistikë të botuar në dhjetëvjetëshin e fundit, këtyre ditëve e ka botuar romanin “Misionari i Kasabasë”. Romani mbërthen motive historike nga një kohë moti të perënduar të sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan. Ngjarjet gërshetohen brenda një territori të caktuar, në një qytezë që njihej si kasaba, e banuar me shqiptarë të besimit myslimane (arnautë) e turq, të krishterë e të tjerë, të quajtur me një emër të përbashkët – milet, që kanë qenë të detyruar të bashkëjetojnë në kohëra të qeta e të lumtura, por edhe në trazira, shqetësime dhe armiqësishë, të nxitura prej grupesh që ndillnin zjarr, për ta përmbys një perandori të madhe.
Motivi themelorë i romanit të Arsllanit përqendrohet në zbërthimin e dimensioneve të shumta jetësore, por edhe të përshkrimit autentik të rrethanave dhe ambienteve që janë tretur në kohë, shpesh të mbështetura edhe në dokumente historike, që mbajnë në shpatulla protagonistët e rrëfimit, duke qenë pjesëmarrës në ato vlime jetësore dramatike. Një vend të veçantë në të e zënë ngjarjet në Kasaba pas Kongresit të Berlinit. Bëhet fjalë për kohën kur copëtoheshin trojet shqiptare, gjë që kishte nxitur daljen në protesta mes çarshisë mbi të mbi 5 mijë njerëzve të shqetësuar, për ta mbrojtur atdheun nga pushtimet e reja. Kasabaja nga Paria e vet kishte dërguar disa personalitete të shquar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878). Njëri prej tyre u zgjodh madje edhe nënkryetar i saj.
Linja pa amplituda e shtjellimit të lëndës së materies bën që ky roman të lexohet me një frymë, duke lënë në fund një shije të këndshme. Dhe, me të drejtë mund të themi se ky roman i Arsllanit rezulton si një projekt i suksesshëm, si një projekt që i kushtohet qytetit të tij, Tetovës, e cila gjithmonë ka qenë qendër e ngjarjeve të bujshme kombëtare.
Shkëlzen Halimi, njëri nga redaktorët e romanit, e vlerëson “Misionarin e Kasabasë” si një përpjekje të suksesshme të autorit. Ai e vë njëkohësisht në spikamë si dhe e konsideron të rëndësishëm për letërsinë shqipe faktin që Arsllani, pas krijimtarisë së pasur publicistike, tani vie me një roman, duke qenë se kjo gjini letrare kultivohet vitet e fundit fare pak në hapësirat shqiptare që shtrihen në Maqedoninë e Veriut.
Kritiku letrar, Bardhyl Zaimi, njëherit redaktor i romanit, shprehet: “Gjithçka në botë ekziston për t’u shfaqur në një libër”, sipas Stefan Malarme-s, dhe pikërisht mbi këtë premisë letrare, shkrimtari Ismail Arsllani, me romanin e tij, na sjell tonet e një bote komplekse të kohës së Perandorisë Osmane, duke ngritur një narracion urtësie përshkruese nëpërmjet narratorit Baba Dijetari, që vjen në këtë rast si një personazh i paanshëm që rrëfen gjithë realitetet e koklavitura të asaj kohe. Nëpërmjet një rrëfimi të shtruar dhe gjuhe të rafinuar të mbrujtur në gjetje sintagmatike dhe stilistike, autori arrin me shumë forcë krijuese të risjellë gjithë polifoninë e zërave të harruar të kohës historike, gjithë itinerarin dhe gjithë shkëlqimin e gjësendeve që tashmë po vdirren nën rrënojat e indiferencës.
“Është befasi e madhe që vepra e Ismail Arsllanit nuk është një përpjekje e rëndomtë, dosido, për të hyrë në shtigjet e letërsisë, por një roman i thurur mjeshtërisht, sikur autori të kishte shumë vepra të tilla, e jo që para lexuesve të dalë për herë të parë me roman. Kur ta lexosh romanin në tërësi, bëhet më e plotë pasqyra për kompozicionin e tij të një romani klasik, i cili ka një rrëfim që duket edhe si kronikë, me rrëfime të vërteta, për t’iu afruar prozës dokumentare, por në të vërtetë, duket qartë se është një thurje mjeshtërore artistike nga imagjinata e autorit që e afron shumë me arritjet më të mira të prozës sonë romaneske”, vlerëson shkrimtari Daut Dauti.
Romani “Misionari i Kasabasë” është një sprovë letrare premtuese e Ismail Arsllanit. Ai ia ka arritur të na jep një vepër të kompozuar mirë, të rrjedhshme, me fjalor të pasur në funksion të kontekstit kohor e hapësirorë, adekuat për filozofinë e personazheve, njëkohësisht edhe me karakter universal në pikëpamje ideoartistike.
Siç ka njoftuar autori përmes një postimit në Facebook, romani “Misionari i Kasabasë” tashmë ia ka arritur t’i pushtojë librarit. Lexuesit e interesuar mund ta gjejnë atë edhe në këto librari: “RILINDJA” afër Gjykatës së Tetovës dhe “ALBAS”, afër Xhamisë së Pashës.