Misioni i OSBE-së shpreh keqardhje për miratimin në formën aktuale të Ligjit të KPM-së
Misioni i OSBE-së në Kosovë nëpërmjet një komunikate ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës ka dështuar të marrë parasysh vërejtjet e organizatave ndërkombëtare, para se të miratojë Ligjin për KPM-në.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë është i shqetësuar më disa aspekte të votimit të sotëm të Ligjit për KPM-në. KPM-ja ka rol të rëndësishëm në rregullimin e mediave në Kosovë. Mundësia e operimit në mënyrë profesionale dhe të pavarur kanë qenë kyçe në kredibilitetin dhe autoritetin e saj. Ekspertët ndërkombëtarë të medieve, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSCE-së, kanë ofruar rekomandime të detajuara për ta bërë ligjin në përputhje me standardet ndërkombëtare. Fatkeqësisht, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë reflektuar në ligjin e miratuar sot”, thuhet mes tjerash në reagimin e OSBE-së.