Misioni përcjellës për zgjedhje i BE-së viziton PDK-në, flasin për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet në veri
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, bashkë me deputetet Eliza Hoxha, Blerta Deliu-Kodra si dhe sekretarin për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi, kanë pritur të enjten në takim delegacionin e misionit përcjellës të zgjedhjeve të BE-së në Kosovë, në krye me eurodeputetin Lucas Mandl.
Pas vendimit të 30-të tetorit, të ambasadorëve të BE-së për fillimit e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nënkryetarja Çitaku e ka falënderuar eurodeputetin Mandl për angazhimin dhe përkushtimin e tij konsistent në avancimin e kësaj agjende.
Në këtë takim është diskutuar edhe për gjendjen aktuale politike në vend, në veçanti për procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri, të cilat do të mbahen më 25 dhjetor si dhe për reformën zgjedhore në vend.
Çitaku ka thënë se me shpalljen e këtyre zgjedhjeve, PDK-ja ka qenë e para që e ka dëshmuar gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij procesi me kandidatë për katër komunat në veri.
Sipas njoftimit për media, PDK-ja pret një proces zgjedhor të qetë ku zyrtarëve të angazhuar nga KQZ dhe qytetarëve me të drejtë vote, nuk do t’iu cenohet siguria.
Gjithashtu, në njoftim është thënë se PDK-ja si lidere e opozitës në Kosovë është prijatare dhe nxitëse e reformave të nevojshme në legjislacionin për zgjedhjet në Kosovë, gjithmonë duke marrë parasysh rekomandimet e dala nga misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian.