MISIONI VERIFIKUES I OSBE-së VIZITON NËNTË USHTARËT E ZËNË PENG NË VENDIN E NGJARJES

19 dhjetor 2019 | 11:10

LULZIM SAHITI

Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (10)

Pas rënies në pritë të grupit të vëzhguesve të UÇK-së, pjesa dërrmuese e ushtarëve kanë filluar tërheqjen në drejtim të Shqipërisë, të cilët kanë rënë në pritën e dytë serbe. Në këtë rast, krahas ushtarëve të vrarë, 7 janë zënë të gjallë në këtë vend, kurse dy të tjerë nga Rahoveci janë zënë në pozicion tjetër. Në mëngjes ushtarët e zënë i grumbullojnë në një vend, ku ushtarët serbë e ndezin një zjarr përreth të cilit ngroheshin edhe ushtarët e UÇK-së. Aty Xhavit Krasniqi dhe Merita Ramadani, infermiere, ia japin ndihmën e parë ushtarit të plagosur rëndë, Enver Krasniqi. Rreth orës 9:00 në vendin e ngjarjes kanë ardhur përfaqësuesit e Misionit Verifikues të OSBE-së nga Prizreni, të cilët kanë fotografuar trupat e pajetë të luftëtarëve të UÇK-së, mandej kanë marrë shënime për të dhënat personale të të zënëve rob dhe i fotografojnë ata një nga një. Diku pas gjysmë ore kanë ecur monitoruesit ndërkombëtarë dhe forcat serbe fillojnë kontrollimin e kufomave duke ua marrë të gjitha gjësendet që kishin dhe armatimin e tyre.

Me këtë rast, pas kontrollimit të gjerë të terrenit në zonën e zgjeruar të karakollit “Liken”, ushtria armike ka konfiskuar: dhjetëra pushkë automatike, pushkomitrolozë, dy pushkë snajperë “Sig Sauer”, qindra plumba të kalibrit 7.62 mm, pastaj plumba “Tompson” 11.43 mm, plumba të tromblonit 7.62 mm, plumba vinçester 7.62 mm, plumba 12.7 mm, bomba dore, ndezës për bomba dore, tri radiolidhje “Motorola”, dy busulla, një centralë për aktivizim në largësi të eksplozivit, kapsula elektrike për detonim,  minahedhës, ndezës për mina në largësi, raketahedhës dore për një përdorim “Zola”, disa kg eksploziv tritol, përgatitje tjera ushtarake dhe mjete financiare mbi 250.000 marka gjermane. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe fotografi, harta topografike, libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (Dokumente dhe artikuj) të përgatitur nga Gafurr Elshani, “Tregime të zgjedhura amerikane” e të tjera.

Rrënojat e Karakollit të Ushtrisë Jugosllave në Planej, në vitin 1999, pas fushatës ajrore të NATO-s, e njohur si “Forca Aleate e Operacioneve”

Në cilësinë e gazetarit të televizionit publik serb, RTS, Milovan Drecun ka marrë pjesë indirekt në këtë aksion të forcave kriminale serbe. Ai pas përfundimit të të shtënave ka bërë reportazh në këtë zonë duke xhiruar pjesëtarët e rënë dëshmorë të UÇK-së dhe të të zënëve rob nga Ushtria Jugosllave që ngroheshin pranë një vatre zjarri.

Pastaj, dëshmorët e rënë i fusin nëpër thasë të zi. Rreth orës 21:00 ushtarët e rregullt serbë, prapa shpine ua lidhin duart me pranga pesë ushtarëve të UÇK-së dhe secilin nga ta i detyrojnë duarlidhur t’i tërheqin zvarrë nëpër borë nga dy trupa të pajetë të vendosur në thasë të najlonit dhe prapa secilit ushtarë të UÇK-së shkonte nën përcjellje të tyre një ushtar serb. Gjatë tërheqjes së kufomave, çuditërisht Xhavit Krasniqit iu këputën prangat nga duart e përgjakura. Ai menjëherë i ngritë të dy duart lartë dhe pason lidhja e sërishme me pranga tjera. Kështu kanë tërhequr teposhtë së bashku me ushtarët serbë 35 trupat e pajetë të ushtarëve të vrarë dhe dy të plagosurve rëndë në një lokacion tjetër në largësi rreth dy kilometra nga fushëbeteja e përgjakshme.

Në të majtë të këtij vendi të rrafshët kishin qenë të ngritura dy-tri tenda të ushtrisë serbe dhe rrëzë tyre ishte ngritur me gurë një bunker. Mandej, këtu i lanë gati për të vdekur dy të plagosurit, kurse pesë ushtarët e UÇK-së i nisin këmbë në një udhëtim të gjatë prej dy-tri orëve nën përcjelljen e mbi dyqind ushtarëve serbë të ardhur nga pozicione të ndryshme. Nga fushëbeteja deri në fshatin Planej ishte 7 kilometra. Në hyrje të fshatit, në të djathtë të rrugës ndalën ushtarët serbë dhe kërkojnë ujë për të shuar etjen nga plaku me plis të bardhë, Selim Vorfaj, i cili në oborr kishte një kope të madhe me dele. Maltretime të tilla për banorët lokal në zonën kufitare ishin bërë të zakonshme, natën dhe ditën. Ndërkohë, vazhdojnë rrugën tutje dhe në të majtë të rrugës shihej shkolla e fshatit, që barte emrin “Vëllezërit Frashëri”. Dalëngadalë kanë arritur te Karakolli në Planej, ku ishte e vendosur ushtria serbe.

Pranë këtij bunkeri ishin tendat e Ushtrisë jugosllave

Ishte një ndërtesë e ndërtuar krejtësisht nga guri. Këtu në oborrin e karakollit, ushtarët e UÇK-së duarlidhur rrahën pa mëshirë nga paramilitarët serbë. Aty nuk qëndrojnë gjatë, i hedhin përmbys njërin mbi tjetrin në automjetin ushtarak “Pinzgauer”, kurse mbrapa në përcjellje u shkon “Pinzgauer”-i, tjetër dhe një xhip. Rreth orës 5:00 të mëngjesit mbërrijnë në oborrin e ish-Kazermës Ushtarake “Ramiz Sadiku” të Prizrenit, ku takojnë policin famëkeq të Shtimes, Slaviša Marinković, që voziste një autoblindë. Ai meqë vinte nga Shtimja, ushtarët tanë i kishte njohur dhe filloi t’i quante terroristë. Nuk ka zgjatur shumë, menjëherë i dërgojnë në paraburgim brenda objektit të kazermës. Pas pak kohe i sjellin edhe dy ushtarët e Rahovecit. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ndodhet në Romë për të marrë…