Misioni vëzhgues i BE-së: Financimi i fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit kishte mungesë transparence
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar anëtaren e Parlamentit Evropian, njëherësh kryesuese e Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, Viola Von Cramon-Taubadel.
Kryeparlamentari Konjufca dhe europarlamentarja Von Cramon-Taubadel diskutuan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar dhe ecurinë e tyre.
Duke falënderuar misionin e BE-së për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi, edhe pse në cilësi të vëzhguesit, kryeparlamentari Konjufca ka theksuar se organizimi i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës tashmë ka arritur një nivel të kënaqshëm, dëshmia më e mirë të cilit është vet pranimi i rezultatit zgjedhor nga të gjitha subjektet politike garuese.
Kryesuesja e këtij misioni, Von Cramon-Taubadel, ka theksuar në mënyrë të veçantë faktin se zgjedhjet, duke marrë parasysh afatin e shkurtër kohor për t’u përgatitur, kanë qenë demokratike, të organizuara dhe të përgatitura shumë mirë.
Ajo ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë punë shumë të mirë, duke përgatitur në kohë materialet, gjë që duhet theksuar për shkak të kompleksitetit të procesit.
Problem serioz të këtyre zgjedhjeve, Von Cramon-Taubadel potencoi mungesën e transparencës për financimin e fushatës.
/Epoka e re/