“Misiri i vogël”, roman i temave të mëdha
Albin Mehmeti
Hysen Beqa, autori i brezit të ri të krijuesve kosovarë, vjen me veprën e tij të parë, romanin “Misiri i vogël”, botuar nga Shtëpia botuese “Armagedoni”. Romani në fjalë është vepër që më shumë i takon prozës autobiografike, ku përmes biografemave (term i Roland Barthes për sekuencat të caktuara nga jeta të cilat kanë rol fondamental në jetën e njeriut) trajton jetën e Ilirit, një djaloshi të ri nga qyteti D. Romani në vete përmban dymbëdhjetë kapituj, të cilëve u paraprinë një parathënie, e cila është si prolog i ngjarjeve që do zhvillohen më pas. Në përgjithësi, romani trajton probleme dhe tema të ndryshme nga aktualiteti dhe e kaluara, nga tradita dhe moderniteti dhe nga shpirtërorja e materialja. Gjatë gjithë romanit zhvillohen dy linja narrative, rrëfimi për individin, Ilirin, dhe rrëfimi për kolektivin, shqiptarët. Në këtë roman, përveç pjesës fiksionale, kemi edhe anën faktografike që kryesisht ka të bëjë me zhvillimet historike te shqiptarët në dekadat e fundit.
Në kapitullin “Fëmijëria”, përveç se shfaqet lindja e kryepersonazhit, Ilirit, njëkohësisht shfaqet mentaliteti patriarkal, ku lindja e një vajze ishte kob dhe ogur i zi, dhe në të kundërtën lindja e një djali ishte lajm i madh. Beqaj, më tej ri sjellë temën e eksodit të madh të 1999, të cilin e hedh në paralele me holokaustin dhe eksodin e madh të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku ngjarjet e të dyjave i përshkruan si kolona që ecnin drejt vdekjes.
Pas episodeve të luftës fillon një etapë tjetër, ajo e kthimit në vendlindje, me gëzimet e hidhërimet e saja, me varret e reja dhe varret pa zot e me shtëpitë e shkrumbuara. Më tej, në kapitullin “Liria” përshkruhet gjendja e pasluftës, e brishtë dhe e rëndë. Beqaj, në këtë rast, merr guximin që ta trajtojë një temë që po mbetet tabu dhe në margjina, ajo e dhunimeve. Historia e Agimit dhe gruas së tij, që në bazë është histori fiksionale është vetëm një nga shumë historitë reale të pa treguara të shumë familjeve kosovare. Vetëvrasja e gruas së Agimit thërret ndërgjegjen tonë, se ato s’kanë bërë krim, përkundrazi mbi to u bë krim, më shumë nga injorimi ynë sesa nga krimi i serbëve mbi to.
Problematikë që trajton Hysen Beqaj është edhe paraqitja e organizatave të huaja, të cilat nën petkun e humanizmit përhapën ideologji të rrezikshme për vendin tonë dhe për bashkëjetesën shekullore mes komuniteteve. Iliri do t’i sfidojë këta njerëz, ku falë vendosmërisë do të arrijë të triumfojë karshi tyre. Triumfi ndaj tyre është edhe triumfi i harmonisë dhe dashurisë mbi përçarjen dhe urrejtjen, është triumfi i religjionit shpirtëror mbi religjionin politik, të cilin e proklamuan dhe përhapën këto organizata.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, për Ilirin filloi një periudhë e re. Tani, ai do të ndeshet me sfida të reja. Këtu fillon edhe trajtimi i temave tjera, për universitetin dhe politikën, që shpeshherë nuk mund të vësh një vijë të qartë ndarëse mes të dyjave. Iliri, që na del si personazh i revoltuar do të ndeshet me profesorë që vonohen në ligjërata ose nuk vijnë fare, me studentë që mësojnë vetëm një ditë para provimit, por mbi të gjitha ndeshja e tij më ë madhe është me organizatat studentore, të cilat mbijnë si kërpudhat pas shiut, të cilat në emër të organizimit të jetës studentore në fakt merren me organizimin e jetës politike brenda mureve të universitetit.
Përmes nervit krijues, Beqaj do të venerojë edhe problematika tjera jashtë politikës dhe institucioneve, pra probleme shoqërore, të një shoqërie që ka humbur traditën dhe nuk po arrin në asnjë formë të rehabilitohet as me kulturën bashkëkohore perëndimore. Ndër të tjerash, përmes historisë së Ilirit, Beqaj vë në pah se njeriu prapëseprapë është qenie shoqërore, që doemos do ndikohet nga rrethi. Iliri, edhe pse djalë i shkolluar, e pati të pamundur t’i largohet organizimit të dasmave pashije, që s’janë as traditë e as moderne, apo siç thotë edhe populli, as me shehër e as me katund. Iliri, por edhe shumë Ilirë të tjerë janë dhe vazhdojnë të jenë viktime e një shoqërie që s’është as me të kaluarën dhe as me të tashmen.
Beqaj, si një autor i brezit të ri, me këtë roman tregoi fuqinë e tij krijuese, përmes së cilit paralajmëron një krijimtari të bujshme letrare. Përmes romanit “Misiri i vogël”, ai dëshmoi se letërsia e këtij brezi, e larguar nga çdo dogmë dhe ideologji do të lë shenja të pashlyeshme në kuadër të letërsisë së gjithmbarshme nacionale.