Misteret e vrasjes së Faton Hajrizit! Trupi nuk po gjendet, Kosova kërkon ndihmën e Shqipërisë

29 korrik 2024 | 00:32

Trupi i Faton Hajrizit, që u vra nga policia serbe, ende nuk është kthyer në Kosovë.

Ndonëse familja e të ndjerit po ndjek hapat ligjore për kthimin e trupit përmes një avokati, mbetet mister se përse procedurat ‘kanë ngrirë’. Ndaj përveç ndihmës që i është kërkuar Kosovës, familja pritet të kërkojë ndihmë edhe nga Shqipëria.

“Rasti i Hajrizit është një çështje komplekse dhe ne kemi dalë në një propozim që me këtë çështje të merret edhe Republika e Shqipërisë. Ne do të kërkojmë që Shqipëria të na ofrohet me kapacitetet e saj ndërqeveritare dhe ligjore që me palën serbe të bisedohet në kanale zyrtare dhe të jemi të barabartë si shtet. Dihet që Serbia ne nuk na njeh si shtet dhe biem gjithmonë në lojëra fjalësh, luhet me ndjenjat e kombit shqiptar nga serbët. Nuk e dimë nëse Hajrizi është vrarë ose jo, pasi duhet të kqyret trupi. Serbia nuk e njeh palën kosovare dhe nuk bisedon me të. Duke ndërhyrë Shqipëria do të kuptohet nuk ndodhet trupi i tij”, shprehet avokati Gent Gjini.

Gërvalla: S’e dimë të gjithë të vërtetën, të presim

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë ende nuk është verifikuar nga autoritetet në Prishtinë se Faton Hajrizi është vrarë në Serbi.

Gërvalla ka thënë se mostra e shenjavë të gishtërinjëve që u dërgua nga Serbia, pas verifikimit në Kosovë u konstatua të jetë e Faton Hajrizit, duke shtuar se “nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë dhe as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”.

“Ne kemi qenë shumë këmbëngulës në kërkesën që trupi i personit të vrarë, kushdo që të jetë ai, t’I kthehet familjes për t’u varrosur në Kosovë. Kemi shpërndarë të gjitha informacionet në kohë me të cilat kemi mundur të pajisjemi gjatë kësaj kohe. Kemi pasur një mostër të shenjave të gishtërinjëve të një personi, i cili pas verfikimit në Kosovë është konstatuar të jetë qytetari i Kosovës, Faton Hajrizi, mirëpo nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë dhe as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”, ka deklaruar Gërvalla.

Gërvalla tha se gjithçka që ka ndodhur në Serbi është ende e paqartë.

“Deri tani gjithçka ka ndodhur në Serbi është në mjegull. Nuk mund t’i themi qytetarëve tanë që kemi informacione të sakta, mirëpo nuk fshehim asnjë prej informacioneve që kemi marrë sepse dëshirojmë që edhe qytetarët dhe mediat të jenë po aq të inforuarr ose të painformuar sa janë edhe institucionet. Pra deri tani kjo është gjendja, pa dashur të paragjykojë asgjë që ka ndodhur në Serbi sepse jam shumë e sigurtë që nuk e dimë të gjithë të vërtetën dhe prandaj të presim se si do të rrjedhin”, ka thënë Gërvalla.

Kryediplomatja deklaroi se kanë kërkuar ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për zbardhjen e së vërtetës për këtë rast.

“I kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, u kemi bërë thirrje edhe misioneve diplomatike, edhe misionit të BE-së në Beograd që të na ndihmojnë në sqarimin e kësaj çështje, në zbardhjen e së vërtetës, mirëpo nuk mund t’ju jap me shumë siguri dhe me asnjë garancë informacione përtej asaj çfarë kemi deklaruar deri tani”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti e filloi mbledhjen e të mërkurës të Qeverisë, duke u marrë me rastrin e Faton Hajrizit. Ai tha se duhet bërë një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për të zbardhur të vërtetën mbi vrasjen e policit serb.

Daçiç: Çështja i takon Prokurorisë

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç ka deklaruar se nuk është në gjendje të thotë nëse trupi i pajetë i Faton hajrizit do t’i kthehet familjes, për ta përcjellë për në banesën e fundit.
– Advertisement –

“Sinqerisht nuk e di sepse kjo nuk është më një pyetje për policinë. Kjo është një pyetje për prokurorinë që po heton çështjen dhe personalisht nuk e di se si veprohet në këto situata”, tha Daçiç.

Ndërkohë, Daçiç ka bërë të ditur se pret nga Maqedonia e Veriut të ekstradojë në Serbi Blerim Ramadanin, ish-komandanti i UÇK-së që u arrestua në bazë të një urdhër-arresti serb, që e akuzonte për krime lufte.

Nga ana tjetër, numri dy i qeverisë serbe ka refuzuar të flasë për ekstradimin e Milan Radojçiç në Kosovë, duke i mëshuar edhe njëherë faktit se Beogradi nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“Unë nuk e di nëse ju e kuptoni që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe kjo është absolutisht e pamundur. Ne nuk kemi bashkëpunim me institucionet e përkohshme. Gjithçka që kemi bërë e kemi bërë me EULEX-in, nga i cili kemi marrë dhe kemi dhënë informata”, tha Daçiç.

Komentet e tij Daçiç i bëri pas një takimi me homologun maqedonas, Pançe Toshkovski.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Jean-Pierre Landau, Project Syndicate Sot i kemi harruar virtytet…