Misteri i largimeve nga Vetëvendosje: Pse po braktisin deputetët partinë e Kurtit?
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është tkurrur për disa deputetë, derisa legjislatura e dalë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit po shkon drejt përfundimit të mandatit. Eman Rrahmani dhe Visar Korenica janë dy deputetët e rinj që kanë vendosur ta braktisin Lëvizjen Vetëvendosje, pas Doarsa Kica Xhelilit që ka kaluar në LDK, Haki Abazit dhe Fatmir Humollit që kanë vazhduar rrugëtimin e tyre në Kuvend pa grup parlamentar, dhe Vasfije Krasniqit që i është dashur të braktis pozitën e deputetes për arsye shëndetësore dhe që është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i saj Nasuf Bejta.
Deputeti Haki Abazi është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje për ankesat që ai ka shfaqur lidhur me mënyrën e funksionimit të grupit parlamentar të LVV-së brenda Kuvendit dhe për mospajtimet që Abazi ka pasur me disa qëndrime politike të Qeverisë Kurti që lidhen edhe me politikën e jashtme.
Deputetja Doarsa Kica Xhelili, e cila në listën e VV-së ishte futur si rezultat i marrëveshjes Kurti-Osmani, pas një kohe të angazhimit të saj në Grupin Parlamentar të VV-së, kishte vendosur të ndërrojë vend në Kuvend dhe t’i bashkohet LDK-së. Kica-Xhelili është larguar nga VV për shkak të pakënaqësive që ka pasur me mënyrën se si pushteti e ka trajtuar reformën në drejtësi.
Fatmir Humolli i cili në zgjedhje kishte garuar nën flamurin e VV-së, kishte vendosur që të mos ulet më mes deputetëve të VV-së për shkak se partia që drejton Kurti s’po ia plotësonte kërkesat e tij që kishte pasur në momentin kur i ishte bashkuar listës zgjedhore, raporton Express.
Dy largimet që kanë ndodhur sot nga Lëvizja Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, kanë ardhur si rezultat i mospajtimeve të vazhdueshme mes tyre dhe qëndrimeve të partisë. Kodi Civil ka qenë ai që ka shkaktuar çarjen e madhe mes këtyre dy deputetëve dhe LVV-së, çarje kjo që ka rezultuar me largimin e tyre nga partia në mungesë të gjetjes së gjuhës së përbashkët.
Korenica dhe Rrahmani në vazhdimësi janë shprehur kundër martesave të gjinisë së njëjtë që parashihen në Kodin Civil, Kod i cili ende s’ka marrë dritën e gjelbër të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të dy deputetët gjithashtu kanë pasur pozicion kundërshtues për fertilitetin e asistuar mjekësor i njohur ndryshe edhe si IVF. Rrahmani dhe Korenica do t’i bashkohen Ferid Aganit dhe Behgjet Pacollit për zgjedhjet e 9 shkurtit në atë që do ta quajnë “Lëvizja për Familjen”.
Lëvizja Vetëvendosje nga 59 deputetë sa kishte marrë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, pas largimeve që kanë ndodhur më herët dhe dy të bëra publike sot, numëron gjithsejtë 54 deputetë./GazetaExpress/