Mitaj: Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, tashmë i gjithë fokusi është te ndeshja me Kroacinë
Kombëtarja shqiptare po përgatitet për ndeshjen e dytë në Kampionatin Europian ndaj Kroacisë, teksa nga kampi bazë në Kaiserau në Kamen doli në një konferencë për mediat mbrojtësi Mario Mitaj.
Futbollisti kuqezi iu përgjigj interesit të gazetarëve dhe theksoi dhe atmosfera në skuadër pas ndeshjes me Italinë është shumë e mirë. Mitaj tha se tashmë i gjjithë fokusi është te ndeshja me Kroacinë ku kanë nisur përgatitjet për takimin që do të luhet më datë 19 qershor në stadiumin e Hamburgut, në ora 15:00.
Kush mund të jetë heroi shqiptar ndaj Kroacisë? – Besoj se në përgjithësi të gjithë ne mund të luftojmë për të luajtur sa më mirë me Kombëtaren. Kemi lojtarë si Broja me cilësitë e tij dhe Asani me goditjet e tij. Të luajmë sa më mirë dhe ta çojmë Kombëtaren sa më lart. Të gjithë lojtarët, por mendoj se Broja mund të jetë lojtari që mund të bëjë dëm.
Kundërshtari i radhës Kroacia, a mendoni se mund të marrim pikë? – E kemi harruar ndeshjen me Italinë dhe mërzinë që patën nga ajo ndeshje. Tani po përgatitemi sa më shumë, po analizojmë kundërshtarin. Do të futemi në fushë me të njëjtin personalitet. Shpresoj të luajmë më mirë dhe të marrim pikë.
Emocione në fushë? – Nuk kam emocione kur futem në fushë, mundohem ta shijoj. Sidomos kur luajmë përpara gati 60 mijë tifozëve shqiptarë. Kisha vetëm emocione të mira, aspak stres apo emocione negative.
Kundërshtarët e grupit? – Në një ndeshje gjithmonë duhet bërë gabim pasi bëjnë edhe rezultatin. Ne nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët, ashtu siç e kanë thënë të gjithë është grupi i vdekjes. Kroacia mund të marrë edhe vendin e parë. Të përgatitemi, të analizojmë kundërshtarin dhe të japim më të mirën në fushë për të marrë një rezultat të mirë.
A mund të menaxhohej më mirë avantazhi ndaj Italisë? – Në pjesën e dytë më kanë furnizuar më shumë shokët me pasime. Në pjesën e parë e preka pak topin. Jam një lojtar që më pëlqen të mbaj topin në këmbë për të krijuar raste me pasimet e mia. Besoj se ky ishte problemi që nuk e mora shumë topin.
E ardhmja në Seria A? – Tani për tani nuk mendoj për të ardhmen, e kam mendjen vetëm te Kombëtarja dhe te dy ndeshjet që na kanë mbetur.
Ndeshja me Italinë? – Të gjithë u habitën se goli u bë shumë shpejt dhe u emocionuam pak dhe kthyem në mbrojtje. Normalisht kur luan më një kundërshtar si Italia e gjen hapsirën dhe të bën golin.
Çfarë mendon se duhet të përmirësojmë në ndeshjen me Kroacinë? – Trajneri nuk është se na ka folur shumë, na ka thënë që kemi bërë paraqitje të mira. Ajo që duhet të përmirësojmë janë goditjet standarte edhe pse kemi punuar shumë.
Goli i parë në ndeshjen me Italinë? – Mund të jetë pak faji im dhe faji i Seferit. Të gjithë si skuadër krosimi i lojtarit sduhet të ishte bërë, është diçka që duhet ta përmirësojmë në stërvitje.
Tifozët, a prisni përkrahje të njëjtë në Hamburg? – Besoj se do të na përkrahin fuqishëm edhe ndaj Kroacisë, por varet nga ata.
Mundësitë e kualifikimit? – Ne po përgatitemi dhe e kemi analizuar mirë Kroacinë. Duam të futemi në fushë dhe të luajmë futbollin tonë. Tani na intereson vetëm Kroacia dhe ishalla marrim rezultatet më të mira e pastaj të shohim ndeshjen me Spanjën.
Kritikat e tifozëve? – E bukur nuk është të kritikosh një lojtar që ka dhënë aq shumë për Kombëtaren. Hysaj ka dhënë shpirtin për Kombëtaren, nuk është kaq gjë e bukur. Çdo person bën kritikën e vet.
Keni diskutuar me trajnerin për ndeshjen me Kroacinë? – I dimë cilësitë që ka Kroacia dhe sa e fortë është si skuadër. Sot është stërvitja që do të jemi të gjithë bashkë, dje ka qenë më shumë stërvitje rikuperimi. Sot do t’i analizojmë më shumë taktikisht dhe si do të futemi ne në fushë. Sot është dita që do të përgatitemi për Kroacinë. Kroacia të gjithë repartet i ka të forta, besoj se mbrojtjen kanë pikën më të fortë.
Atmosfera në skuadër? – Atmosfera në skuadër nuk ndryshon është shumë e mirë. Jemi ekip shumë harmonik këtë e ka parë e gjithë Shqipëria, do të vazhdojmë kështu. Jemi në Europian dhe në fund të fundit duhet ta shijojmë.
A ndikoi ngarkesa psikologjike ndaj Italisë? – E kemi respektuar shumë kundërshtarin. Kishim dëshirë të merrnim diçka më tepër. Shpresoj të futemi në fushë me psikologji më të mirë ndaj Kroacisë, dhe të marrim diçka më tepër. Nuk besoj se luajti shumë rol ngarkesa psikologjike, thjesht ata ishin më të mirë se ne dhe fituan ndeshjen. /FShF