Mitaj: Kam lindur në Greqi, por e dashuroj Shqipërinë time
Mario Mitaj ishte një nga më të mirët në dy miqësoret që Kombëtarja shqiptare zhvilloi ndaj Kilit dhe Suedisë. Mitaj është kthyer në një nga elementët kryesor jo vetëm për Shqipërinë e Sylvinhos, por edhe për Lokomotivën e Moskës në Rusi.
Duke folur për mediet ruse mbrojtësi kuqezi flet për transferimin e tij nga AEK në Greqi te Lokomotiva në Rusi. Gjithashtu ai shpreh dashurinë e madhe që ka për Shqipërinë, teksa shpjegon se nuk është grek edhe pse ka lindur në shtetin helen.
“Kam pasur një situatë të vështirë në Greqi. Problemi me futbollin grek është se ata nuk u besojnë fare lojtarëve të rinj. Ata presin menjëherë një paraqitje të jashtëzakonshme nga një djalosh i ri në ndeshjen e tij debutuese. Praktikisht nuk ka asnjë shans për gabim, nëse dilni dhe nuk tregoni asgjë, ata fillojnë t’ju ‘marinojnë’ në një kavanoz. Për shkak të kësaj, shumë djem të rinj u mërzitën dhe i dhanë fund karrierës së tyre në futboll. Jam përballur edhe me këtë tmerr. Në sezonin tim të parë për AEK-un në moshën 17-vjeçare kam luajtur rreth 30 ndeshje, por në sezonin tjetër kam luajtur vetëm dy. Oferta nga Lokomotiva ishte një frymë e freskët për mua, një shans për t’u larguar përgjithmonë nga një vend ku ata nuk besojnë te unë. Për më tepër, në atë kohë Premier Liga Ruse ishte liga e 6-të në Evropë”, ka thënë Mitaj. “Unë kam lindur në Athinë, por jam shqiptar. Fakti që kam lindur në Athinë nuk më bën grek. Kam shumë miq atje, flas greqisht dhe e dua atë vend për mundësitë që ka dhënë për mua dhe familjen time. Por unë dashuroj më shumë Shqipërinë time, jam një patriot i atdheut tim. Kur shoh flamurin shqiptar dhe flas me shqiptarë, mbushem me një ndjenjë krenarie’, ka deklaruar Mitaj.