Mitrovica e Veriut dhe Zveçani në karantinë
Komuna e Mitrovicës së Veriut, që nga ora 18:00 e ditës së premte, më 3 prill, është në karantinë. Një vendim të tillë e ka sjellë Shtabi i krizës për luftë kundër koronavirusit i kësaj komune në veri të Kosovës.
Gjithashtu, është vendosur që të gjitha shitoret në territorin e kësaj komune të mbyllen që nga ora 13:00 e ditës së shtunë, më 4 prill e deri të hënën, më 6 prill, në orën 5:00 të mëngjesit. Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, deri në momentin e mbylljes së dyqaneve kanë shkuar pë të blerë mallëra të konsumit të përditshëm.
Me vendimin e Shtabit të krizës në karantinë është futur edhe vendbanimi shumetnik Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, banorët shqiptarë të së cilës po e kundërshtojnë ndalimin e shkuarjes për furnizim në anën jugore të qytetit të Mitrovicës, nga e cila i ndanë lumi Ibër.
Rreth tre kilometra nga qendra e Mitrovicës, Shtabi i krizës në komunën e Zveçanit ka vendosur edhe masat e ndalimit të lëvizjes për të gjithë qytetarët prej orës 13:00 të ditës së shtunë e deri në orën 5:00 të mëngjesit të ditës së hënë, masa këto që janë në fuqi edhe në Serbi.
Në anën tjetër, ndalimi i lëvizjes, në bazë të masave të Qeverisë së Kosovës, është në fuqi nga ora 17:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit për çdo ditë.
Deri të premten në mbrëmje, në Mitrovicën e veriut dhe në Zveçan janë identifikuar 16 persona të infektuar me virusin COVID-19, që njihet si koronavirusi i ri.