Mitrovica fillon realizimin e projektit për ndarjen e mbeturinave organike

15 tetor 2018 | 11:39

Në kuadër të zbatimit të planit komunal për menaxhim të mbeturinave, Drejtoria për Mbrojtjen e Mjedisit ka nisur realizimin e pilotprojektit për ndarjen e mbeturinave organike në amvisëritë e fshatit Kçiq të Komunës së Mitrovicës.

Fillimisht është duke u krijuar infrastruktura për kompostim shtëpiak në amvisëritë e para të zonës së përzgjedhur.

“Qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i sasisë së mbeturinave komunale përmes implementimit të kompostimit shtëpiak në nivel lokal në Komunën e Mitrovicës, duke synuar në këtë mënyrë zvogëlimin e  sasisë totale të mbeturinave të gjeneruar në zonën pilot, profitin ekonomik për përdoruesit të kompostimit përmes prodhimit të plehut organik, edukimin dhe vetëdijesimin për trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinës tek qytetarët”, është thënë në komunikatën për medie të Komunës së Mitrovicës.

Qytetarët të cilët do të pajisen me infrastrukturë për kompostim shtëpiak do të kenë mundësi që mbeturinat siç janë barishtet e gjethet në oborret që posedojnë, mbeturinat e frutat e perimet  etj, t’i klasifikojnë dhe pastaj përmes pajisjeve infrastrukturore t’i shndërrojnë ato në pleh organik për nevoja të veta përmes procesit të dekompozimit në komposter.

Komuna e Mitrovicës do të vazhdojë me shpërndarjen e komposterëve tek të gjitha amvisëritë e fshatit Kçiq, për të planifikuar më tutje për zgjerim në të gjithë territorin e komunës.

Ky është hap mjedisor në nivel lokal që do të kontribuoj për një sistem efikas të menaxhimit të mbeturinave komunale, duke u përkrahur në vazhdimësi prej GIZ-it gjerman në Kosovë.

Ky projekt është duke u zhvilluar në bashkëpunim me organizatën gjermane Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Programi për shërbime të qëndrueshme komunale dhe Organizatës joqeveritare Green Art Center-Prishtina (GAC).

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Senati në mbledhjen e sotme vendosi që të miratojë shpalljen…