Mitrovica kërkon përkrahje nga niveli qendror për sektorin e mirëqenies sociale
Anëtaret e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës kanë vizituar të martën Komunën e Mitrovicës.
Drejtoresha për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, Nazan Kërveshi, ka njoftuar anëtarët e këtij komisioni në lidhje me gjendjen aktuale në njësitë përbërëse të drejtorisë së saj.
Në takim ishin prezentë Time Kadrijaj, kryesuese e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, Fatmire Kollqaku-Mulhaxha, anëtare të komisionit, si dhe Shpresa Ramosaj.
Deputetja Besa Baftiu ka pohuar se qëllimi i këtij takimi është njohja nga afër me punën që bëhet në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për personat në nevojë dhe familjet që janë në nevojë në Mitrovicë dhe respektimi i Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.
Drejtoresha Kërveshi gjatë këtij takimi ka kërkuar nga niveli qendror që të mbështesin qytetin e Mitrovicës ku aktualisht numri i familjeve me raste sociale është shumë i madh dhe njëkohësisht ajo kërkoi mbështetje për strehimoren e Viktimave të Dhunës në Mitrovicë.
Në këtë takim si rekomandim ishte që të ndahet një grandë i veçantë për sektorin e mirëqenies sociale. Po ashtu nga kjo drejtori u kërkua që në koordinim me Qendrën për Punë Sociale të përgatitet një raport më vështirësitë që po përballët kjo drejtori i cili më tutje do të trajtohet nga Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.