Mitrovica përkujton martirët e fshatit Koshtovë
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër, është mbajtur një akademi përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së martirëve, Hajriz Miftari, Ahmet Miftari, Lulzim Miftari, Halil Miftari, Fatmir Miftari dhe Besim Miftari nga fshati Koshtovë i Mitrovicës.
Të pranishëm në këtë akademi ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari, Faruk Mujka, Milaim Zeka, deputet i Kuvendit të Kosovës, drejtorë komunalë, familjarë të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta si dhe shumë qytetarë të tjerë.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri, ka thënë se është mirë që po organizohen tubime të këtilla përkujtimore përmes të cilave kujtojmë kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë trimat tanë për çlirimin e atdheut. “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Miftari, të cilët në kohë të luftës humbën anëtarët më të ngushtë të familjes. Ne sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar martirët e fshatit Koshtovë, të cilët dhanë jetën e tyre për të shtrenjtën liri. Falë gjakut të dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë të rënëve, por edhe falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtarë ne sot kemi një shtet të pavarur, një liri të cilën më parë se kishim, andaj sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar për të mirën e vendit dhe për të dërguar në vend amanetin e këtyre martirëve si dhe të gjithë të rënëve”, ka thënë Bahtiri.
Ndërsa përfaqësuesi i familjeve për personat të pagjetur, Bajram Qerkini, ka theksuar se edhe pas 20 viteve ende nuk kanë arritur që t’i kthejmë të gjithë trupat e të rënëve për liri.
/Epoka e re/