Mitrovica pranon 159 kërkesa nga personat e riatdhesuar
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se numri i personave dhe familjarëve të kthyer në këtë komunë nga vendet perëndimore ka vazhduar edhe në vitin e kaluar. Sipas koordinatorit të Zyrës për Kthim dhe Riintegrim, Bedri Sadiku, në vitin 2017 në këtë zyrë janë paraqitur 159 raste të kërkesave të personave të kthyer nga shtetet evropiane.
“Konkretisht nga 1 janari 2017 deri më 31 dhjetor 2017 në zyrën tonë janë parashtruar 132 kërkesa nga kryefamiljarët, përkatësisht 112 persona të riatdhesuar me mbi 450 anëtarë të familjeve, prej të cilëve 114 ishin pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe 18 nga komunitetet rom, ashkali, të cilët janë njoftuar me drejtat dhe përfitimet që mund të gëzojnë”, ka thënë Sadiku.
Ai ka treguar se Komisioni Komunal për Riintegrim gjatë vitit 2017 ka mbajtur 15 takime për shqyrtimin e 132 rasteve.
Gjatë vitit 2017 komuna e Mitrovicës ka marrë përsipër të paguaj për gjashtë muaj qira për dy persona të kthyer, një të komunitetit rom dhe një të komunitetit shqiptar, të cilët nuk kanë pasur vendstrehim.