Mitrovica së shpejti me qendër për persona me aftësi të kufizuara
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka pritur të martën në një takim kryetaren e OJQ – Shoqata “Së bashku” me seli në Zvicër, Marianne Zutt, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, me ç’rast kanë nënshkruar kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës për krijimin e një qendre për personat me aftësi të kufizuara.
Përmes kësaj kontrate OJQ Shoqata “Së bashku” do të bëjë renovimin e objektit të dhënë në shfrytëzim nga Komuna e Mitrovicës, duke e bërë atë funksional dhe hapësira në fjalë të ofrojë shërbime për personat me aftësi të kufizuara.
Me këtë rast nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, ka falënderuar të pranishmit për iniciativën e ndërmarrë duke thënë se komuna është e gatshme tu ndihmoj dhe të bashkëpunoj me ta çdo herë në të mirë të qytetarëve tanë.
Po ashtu nënkryetari Mujka, ka theksuar se me renovimin e kësaj qendre do të ketë qasje shumë më të lehtë dhe humane për këtë kategori dhe se me renovimin e këtij objekti po kompletohet edhe më tepër infrastruktura e nevojshme në shërbim të qytetarëve në mirëqenie të tyre.
Edhe kryetarja e OJQ Shoqata “Së bashku” me seli në Zvicër, Marianne Zutt, ka falënderuar nënkryetarin Mujka, për mbështetjen e komunës për dhënien në shfrytëzim të pronës për rregullimin e një qendre që do tu shërbej personave me aftësi të kufizuar .
Ky objekt do të fillojë të rinovohet nga muaji tetori i këtij viti ndërsa përurimi i tij do të bëhet në fillim të muajit shkurt 2020.
/Epoka e re/