Mitrovica shënon ditën e dëshmorëve
Komuna e Mitrovicës ka organizuar një akademi përkujtimore kushtuar, 6 Qershorit, Ditës së Dëshmorëve të kësaj komune.
Kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri, ka thënë se kjo datë është një ditë e dhimbjes, por edhe e krenarisë, pasi sipas tij, dëshmorët me gjakun e tyre shkruan historinë.
“Jemi tubuar sot për të shënuar një ditë të shenjtë, të veçantë, sepse vet këta burra që po i shihni këtu kanë qenë të veçantë. Kështu duhet atdheu, me zemër, shpirt dhe me sakrificë. Këta burra dhanë jetën e tyre që ne të jemi të lirë…Për hir të gjakut të tyre, por edhe të brezave të ardhshëm ne duhet të jemi të vendosur për t’i çuar proceset përpara, për ta bërë Kosovën çfarë këta e kanë dëshiruar”, ka thënë Bahtiri.
Ndërsa, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të Kosovës, ka theksuar se rrugën e bashkimit kombëtar nuk mund ta ndalojë askush, pasi sipas tij është amanet i dëshmorëve.
Në anën tjetër, Alije Tmava, kryetare e Shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Mitrovicë, ka deklaruar se vlerat kombëtare të trashëguara nga dëshmorët janë obligim i përhershëm i të gjitha gjeneratave të ardhshme.
Në nderim të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve, FSK-së, policisë, organizatave të dala nga lufta, familjarë, si dhe shumë qytetarë, të mërkurën kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në varrezat e dëshmorëve në Shipol.
/Epoka e re/