Mitrovica shpreh gatishmëri të mbështes fermerët me kredi bujqësore
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në bashkëpunim me drejtorin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, gjatë takimit të sotëm informues me fermerë kanë prezantuar një ide për kredi bujqësore.
Bahtiri ka theksuar se viti i parë është greis-periudhë, ndërsa pas një viti fillon pagesa e këstit mujor të cilën e paguan fermeri, kurse kamatën e paguan komuna.
“Shuma të cilën mund ta merrni është 10.000 euro. Në këtë projekt do të kenë mundësi të përfitojnë 50-60 fermerë, mirëpo me rritjen e kërkesave numri i përfituesve mund të rritet”, ka thënë Bahtiri.
Bahtiri ka theksuar se bujqësia është prioritet i komunës së Mitrovicës.
Fermerët e pranishëm kanë mirëpritur këtë projekt, pasi është hera e parë që fermerëve u ofrohet një mundësi e tillë që është në interes të tyre.