Mitrovicë e Sremit, dhuna ndaj të burgosurve vazhdoi deri në rënien e Millosheviqit nga pushteti
Rrëfime nga i burgosuri e i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.
Tetor 1999 – Sapo mbërriti autobusi te porta e burgut të Mitrovicës së Sremit, me shkoj një rrëqethje e trupit. Më dolën para skenat e burgut dhe tmerret e këtij vendi famëkeq. Për çudi autobusi shkoj deri te porta e ndërtesës dhe hyri brenda rrethojave të burgut. Te porta dolën gardianët për të na ‘uruar’ mirëseardhje. I njihja thuaja të gjithë sepse të gjithë kishin marr pjesë në dhunën kundër nesh e kundër meje, posaçërisht. E mblodha veten, në hamendje ecja dhe një zë nga brenda më përshkoj si ushtimë në vesh, duhet të qëndroj, duhet të përballoj edhe këtë situatë.
U hap dera e autobusit dhe me urdhër të gardianëve një nga një zbritem, morëm ato pak tesha çka kishim në dorë dhe në oborr në rresht duke pritur. Ne pritëm deri kur dolën të gjithë. Na dhanë urdhër të ecim dhe u ngjitëm shkallëve, kaluam katin e dytë dhe u ngjitën në të tretin. Na ndanë në dy grupe. Njërin grup në anën e majtë dhe grupin tjetër në anën e djathtë. Mua me grupin tonë na ra në anën e djathë. Në korridor para derës së dhomës na detyruan me i lëshuar teshat që kishin në qese plastike në tokë. Filloj kontrolle të behet detajisht te secili i burgosur. Nuk kishin me na gjetë gjë se ne nuk kishim pas mundësi me marrë asgjë sepse nuk kishim vizita nga askush ende. Na bënë rrëmujë teshat, na i hoqën disa gjëra kinse janë të ndaluara. Dhe e gjithë kjo kaloi me seriozitetin e gardianeve dhe të mbikëqyrësve. Mbikëqyrësin e njihja, më kishte kërcënuar me vdekje, kur kisha qenë herën e parë këtu në Srem. Më kishte shtyp me dajak dhe ku ta harroja atë fytyrë të tij. Por tashme para xhelatëve nuk duhej dhënë shenja të humbjes së qëndrimit në burg dhe si qëndresë e krijese politike. Nga vrazhdësia e tije kuptova se e njëjta gjendje ishte akoma dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Merre vetën me të mirë, e përgatitu për sfidën e radhës, i thosha vetit.
Na futen nëpër dhoma, mua më futën në dhomën numër katër. Hymë brenda. Ishin plot të burgosur. Në atë dhome ishin edhe disa nga shokët që ishin të dënuar bashkë me mua dhe që ishim po ashtu me të njëjtën akuzë. Kur na panë u gëzuan që u bëmë bashkë përsëri. Dhoma ishte e madhe. Ishim të burgosur, nga vende të ndryshme të Kosovës. Të dënuar, të pa dënuar, me akuza e pa akuza. Ishin dhe qe i kishte marrë policia nëpër shtëpi, civil të moshave të ndryshme. Në dhomë ishin të shtruar tre rende me dyshekë, dy anash e një në mes. Ne një dhomë të tillë ishim rreth gjashtëdhjetë të burgosur. Kur binim të flinim u renditeshim si në konserva të peshkut, të paketuar. Kur donim të rrotulloheshim, duhet të rrotulloheshim në rend të gjithë. Në të kundërtën të binte fytyrë për fytyrë të flije që ishte e pamundur. Ishin dyshekë të shkurtër dhe gjysma e këmbëve të dilnin jashtë në dy dyshek që ishin të shkurtër dhe me një batanije mbuloheshim. Netët ishin të ftohta në vjeshtë e dimër, dhe ne flinim veshur me ato tesha që i kishim. Mos të flasim për pastërti e hixhienë. Po këtë e rriste dhe me shume mungesa e larjes, për të mbajtur hixhienen. Laheshim dy herë në muaj. Dhe ushqimi ishte në mense me radhë me një disiplinë të egër nga gardianet. Hanim shpejt, për pesë.
Gëzoheshim shumë kur ndonjërit i binte skaji i bukës, sepse ishte pak me e madhe se fetat që na takonin shumicës. Por edhe gjella ishte shumë pak nëpër pjatat tona sepse aty na takonte veç nja tre apo katër lugë dhe nuk kishte më shumë. Në shumicën e rasteve të burgosurit tentonin të “vidhnin“ nga një pjesë bukë, që e kishin lënë anash për të ua hedhë qeneve. Ai që e “vidhte” këtë, ishte fatlumë. Po fatkeqësisht kishte raste që gardianët i nxiheshin duke “vjedhur“ bukën dhe e paguanin rend këtë “vjedhje“ me dajak të pamëshirshëm nga gardianët e burgut. Dhuna në këtë burg ishte e përhershme ndaj te burgosurve. Askush nuk guxonte të shtrihej ditën në këta dyshekë, sepse po e zinte gjumi apo kotej pak, kur gardiani shikonte në shpijunkë dhe e shihte, atëherë dihej. E hapte derën dhe e nxirrte jashtë në korridor dhe i epte dajak aq shumë sa britma ushtonte në korridor. Një përparësi kishim që këtu kush kishte ndonjë familjar në perëndim mund të merrte ndonjë paketë me ushqime nga familja. Po dhe këto paketa kur shkonin me i marrë, u jepnin nga një dajak dhe pastaj ua jepeshin paketat.
Ndonjë familjar, pa dijeninë e tij shtinte dhe naj markë duke menduar që me ble ushqime dhe gjëra të nevojshme. Kjo ishte vepër penale, kjo konsiderohej si mundësi e korrupsionit e blerjes së të burgosurve apo gardianët, dhe ndëshkohej me dërgim në qeli më së paku dhjetë ditë dhe dajak dy herë në ditë për të disiplinuar të burgosurit. Kjo dhunë ishte praktike e përditshme. Shpesh vinte dhe drejtori i cili me sjelljet e tij ngjallte frikë e tmerr. Neve na njihte dhe nga burgu i më hareshëm që ishim aty. Dhe sjellja e tij ishte agresive. I shtinte mbikëqyrësit të na kërcënojnë dhe të me epnin dajak për të më disiplinuar.
Pas të gjitha këtyre mundimeve që na i bënin neve, ata i konsideronin si masa edukuese ndaj të burgosurit shqiptar, që ishim tashmë peng të shtetit. Dhe këta si peng që ishim përdornin çdo masë për të na nënshtruar e shtypur.
Edhe mjekë kishte dhe këtu ishin më të pasjellshëm sesa në Pozharevc e Lipjan. Këtu i kishin vendosur mjekë që kishin qenë në uniforma të policisë e ushtrisë serbe në luftë në Kosovë, që kishin ikur tashmë me ushtrinë e policinë nga Kosova. Mjeku i burgut ishte nga Suhareka. Ne kartotekën që na lëshuan shkruante edhe vendbanimi i ynë i banimit në Kosovë. Kur pa që jam nga rrethi i Prizrenit. Filloj me pyetje dhe të tregonte se nga është. Tha kam një kushëri që nuk e di ku gjendet a është gjallë. Po kërkoj tashmë me mirësjellje, nëse dinë gjë kush me i pyetur familjet tona. Thash me vjen keq unë nuk kam vizita dhe nuk kam si me pyet. Në këtë kur e morri përgjigje time, i ndërroj çehren. Përsëri u mundu me u përmbajte, filloj të më shikon plagën e cila ishte e hapur dhe pas katër muaj nga plaga me granatë në burgun e Dubravës.
Nuk u sherojke fare plaga sepse çdo herë me sillnin në plagë të më shkaktojnë dhembje dhe të ndjeje dhembjen deri në palcë. Duke e ndjerë dhembjen të nënshtrohem pastaj, ashtu mendonte mjeku. Por duroja dhe këto dhembje. Nuk nënshtrohesha, edhe pse përdornin përsëri masa të egra dhune. Por pas disa muajve dhe këtu më në fund u mbyllë plaga, por mbeti gilinderi brenda, si kujtim. Ky mjek edhe herëve të tjera tregonte një “kujdes” ndaj te burgosurve duke u thënë gardianeve edukoni pak që mos të vijnë te mjeku kaq shpesh. Natyrisht që gardianët e rregullonin këtë çështje shumë shpejt dhe me pak e më rrallë shkonim në kontrolle.
Këtu thuaja se nuk erdhi fare Kryqi i Kuq. Por kishte qenë më herët dhe këtu. Këtu në Srem një ndihmesë në ushqime e tesha e ka dhënë Fondi për të drejtat humanitare. I cili për çdo muaj na sillte gjera ushqimore, pak tesha e gjera higjienike. Kjo gjendje e tmerrshme vazhdoi deri ne rënien e Millosheviqit nga pushteti. (Vazhdon…