Mitrovicë, shënohet 78-vjetori i gjimnazit “Frang Bardhi”
Gjimnazi “Frang Bardhi” në qytetin e Mitrovicës ka shënuar sot 78-vjetorin e themelimit.
Në këtë ceremoni morën pjesë nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vesa Broja, drejtoresha e DKA-së, Drita Kadriu, drejtor të drejtorive komunale, asamblistë, drejtori i gjimnazit “Frang Bardhi”, Luan Mehmeti, përfaqësues të Universitetit, drejtorë të shkollave, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.
Gjimnazi “Frang Bardhi” ka një rol të rëndësishëm në arsimimin dhe përgatitjen e brezave të rinj të qytetit të Mitrovicës, emri i të cilës është një burim krenarie për komunitetin.
Në fjalën e tij, nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, ka uruar shkollën në këtë ditë të veçantë, me ç ‘rast ka falënderuar gjithë mësimdhënësit që kanë kontribuar në arsimim të shumë brezave në një gjimnaz elitë sikur “Frang Bardhi”.
Ndërsa, drejtoresha e DKA-së, Drita Kadriu, i përshëndeti të pranishmit duke shprehur urimet e përzemërta për këtë 78 vjetor për mësimdhënësit dhe nxënësit që kanë kontribuar në suksesin e gjimnazit duke shprehur talentet e tyre në fusha të ndryshme.
“Brezat e qytetarëve që janë formuar në gjimnaz ndërtuan historinë tonë të arsimimit, emancipimit, civilizimit dhe zhvillimit kombëtar” është shprehur drejtoresha Kadriu.
Për nder të ditës së shkollës, nxënësit e gjimnazit kanë organizuar aktivitete të shumta dhe Panairin e Shkencës dhe Kulturës i cili është bërë tashmë traditë e këtij gjimnazi.