M’je diftue në andërr sod

12 janar 2018 | 11:23

Donjeta H. Elshani

M’je diftue në andërr sod

Nji mëngjes t’hershëm,
N’pranverë të vonë,
U panë sytë tanë,
e u çmallën,
n’andrrën tem,
tuj i bajtë n’strajcë hallet e botës.
Sa t’randa qe jan’ – m’the,
Kesha, sa për me e mlu heshtjen,
Sa për me t’dhanë kohë,
Un’ që kurrë kohë nuk pata.
E zani yt m’u ba i largët.
Veç n’andrra.

Nuk dij mej dhanë emën ndjenjave

Etja më ka kaplue edhe sot si dje,
Un’ që kurrë s’i dhashë emën kurgjafit,
Jetoj n’zana e n’kohna tjera…
Edhe Ti, si unë.
Un’ që tutna veç kur s’ka troh zhurme,
kur muj me ja thanë vetit nja dy tri llafe,
Tuj guxue me knu qat kangën e moçme
pa tutën me e ngue vetën, veç edhe nji herë.
Me nji mramje si kjo, sillet bota jeme.
Nji botë ma ndryshe, prej çkafit kam ikë.

Jemi rritë i dashtun

Çiltërsia i asht’ lanë udhëve me pluhun,
Kemi marrë botën në sy,
E shkelë me kamë andrrat tona.
Jemi t’dehun i dashtun,
Kemi mëkatue randë me shpirtat tanë,
E kemi mytë edhe qat trohë anë shpirtnore,
Pa za, pa udhë, un’ e Ti.
Jemi dërrmu, i dashtun
Ke thanë që je tuj e pritë verën,
E Ti, veç n’dimën po rrnon,
Dill me dham m’the nji ditë,
Sa për t’folë, sa për t’thanë.
Pshtjellim i neve tokësoreve
që kurrë s’dijtëm, që hiç s’dijmë.

Un’ kurrë s’tkam folë

As kurrë s’mke vetë,
Përnallshëm gjithë kem rrnu,
Me fajin tonë, nji jetë të tanë.
Kurrë s’gjetëm nji votër tonë për mi ba dy fjalë.
S’i ujdisëm andrrat bashkë,
S’kënduem kurrë nji kangë,
S’e morrëm asnji udhë…
e veç kcyem n’te njejten valle.
Tjerë njerz jan’ ata m’the.
Na s’dijtëm. Nuk dijmë.

Na ju kemi dorzu përpara nji bote t’rreme

I kemi lanë n’fund t’pusit andrrat e moçme,
Kemi harrue me ndje, me kanë.
jemi mshefë n’kujtime…
Na i kemi dhanë vetës për çdo ditë helm,
e kemi lanë vetën me shkue ku s’shkohet
kemi harrue me dashtë, me nejtë.
Jemi mshefë mas nji maske.
N’fund, jemi rritë tuj kanë qeta
T’ftoftë, t’largët e t’harruem…

Njihere t’i kam pas thanë do fjalë t’rana

E ti veç ke shujtë,
Za s’ke qitë, fjalë s’ke thanë,
Veç ke heshtë, e ke shku.
Ma vonë, ti m’i ke thanë do fjalë t’rana,
e un’ veç t’kam ngu…
Za s’kam qitë, fjalë s’kam thanë,
Veç kam heshtë, e kam shku.
Ma kurrë s’kem folë…
Veç po heshtim…
N’udhë t’moçme,
Ti ke shku
Un’ jam ktu!

Kam dijtë me dashtë shumë jetën

Erë librave t’moçme u kam marrë
Se kam besue n’histori t’çdo shkronje,
Kam dijtë me dashtë çdo ditë,
E andrrat i kam thurë n’agime me bojna,
N’kroje etjen tem e kam shu
kam keshë n’za me krejt ndodhitë,
S’kam dijtë me folë shumë gjuhë,
Ama dashnia e ka veç nji gjuhë,
Ata t’qershive,
Luleve t’pranveres,
E mbramjeve që t’bajnë me pa veç nji hanë t’vetmume.
Kam dijtë me dashtë shumë un’
Me i dhanë ksaj jete nji bojë ma shumë,
E nji dhimtë ma pak,
Nji shkronjë ma shumë,
E lotë ma pak…
N’do kohna tjera,
U kanë nji shpirt qe ka dijtë me dashtë.

Hana nuk po shihet qe sa netë

Asht’ mshefë,
Nër nji qiell që na asht’ idhnu,
Me heshtje po na mytë, ty e mu.
Athue, qysh e sheh vetminë?
A po t’nerth shpirti n’kto netë?
Athue, a e nxjerr me vaj të zinë,
A prej dhimtës, n’heshtje bret?
Zanat na janë shtjerrë sod,
Tuj mos thanë kurrë kurgja.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të…