Mjedisi i egos

20 shkurt 2022 | 09:04

Nga: Mimoza Ahmeti

Egoja mendohej si një konstrukt. Më vonë u pa se ky konstrukt ishte një koncept që nuk i përputhej egos, pasi sjellja e saj, egos, nuk mund të parashikohej përfundimisht. Dhe, kjo jo vetëm për faj të egos sesa edhe për ndryshueshmerinë e kushteve që përftojnë një ego. Prandaj, edhe ideja e konstruktit u zëvendësua me atë të dispozitës., Kështu një ego ka një dispozitë sjelljeje të krijuar në bashkëveprimim me mjedisin e egos, si me thënë në koevolution me të.

Qëkurse u përhap gjerësisht interneti, mjedisi i egos u zgjerua dhe u be kompleks si dhe lehtësisht i aksesueshëm. Kjo i dha një liri egos, qoftë edhe iluzore. Po cila liri në thelbin e saj më të brendshëm nuk është iluzore?

Sepse të gjitha liritë referohen te një kusht: vazhdimi i sagës.

E vetmja liri e pakushtëzuar egoikisht është liria e marrëdhënies me universin, por jo thjesht njerëzor. Universi është diçka më e madhe se universi njerëzor. Është njohja jo si përdorim imediat i principit të konkurrimit. Por, është njohja për një vazhdim me natyrën dhe energjinë.

Kështu, kënaqësia e vazhdimit të sagës është kënaqësia më e lartë për egon sot për sot. Ajo, për këtë arsye mund të shfaqet edhe si më e dobishmja për të. Pasi mënyrat si përftojmë elektromagnetizmin mbi organizmin tonë, në mënyrë pozitive dhe negative, varen nga formimi ynë, pra nga dispozita.

Por, në shëndetin e fizikut tonë është stampuar gjendja imune e organizmit, si një tregues i pasojave të egos mbi të dhe i marrëdhënieve të saj me trupin dhe përtej.

Trupi dhe ego janë dy entitete sfiduese për njeri tjetrin. Ato ndërvaren kaq shumë dhe përjashtohen po aq.

Trupi është ena ku rri ego. Dhe, ajo e përdor atë si të tillë. Por, ego mund të jetë dhe e anasjellta: ena ku rri virtualisht trupi, si një botëkuptim i ri ndaj marrëdhënieve me energjinë, mjedisin, jetesën.

Tjetri është kudo. Jo vetëm si tjetri. Tjetri është në gjuhë, në mentalitet, në tekst, në përjetimin negativ të vetes sonë, në suksesin tonë, në rënien, në ngritjen. Por, ka një tjetër më të madh se tjetri. Një mjedis ku është e vendosur e gjithë tjetërsia që të bëri Unë.

Ligjësitë e mjedisit përtej vetëreferencial, të cilat që në lashtësi u shfaqën si dhpirti, kanë krijuar jo vetëm kufijtë etikë të njeriut me natyrën, por dhe me tjetrin dhe veten. Agresiviteti kompetitiv largoi vëmendjen nga kjo etikë dhe krijoi parametra mjedisorë jo të favorshëm për trupin.

Në gjendjen ku jemi, shkenca e ekosistemit shfaqet si një mrekulli përballë njeriut, si një shans për të bashkuar më të mirën e jetesës nga të gjitha kulturat.

Por, kjo nuk mund të bëhet duke i dhënë përparësi një lloji egoje të caktuar kulturor.

Egot janë investime njerëzore e shoqërore, por edhe procesorë force. Ato mund të maten si vlerë force por edhe si vlerë jetese e diturie mbi trupin dhe mjedisin. Vlerësimi i mjedisit njerëzor është hapi i parë i një bote të qëndrueshme. Në ego jeton përvoja, ideja, ndryshimi, tradita dhe kapërcimi, stimuli, ndihma, mbështetja, detyra, shënjimi i dritës së egos tënde.

Mjedisi njerëzor e provoi modestinë dhe madhështinë e tij edhe ne periudhën e pandemisë, jo vetëm duke përballuar me dinjitet të gjitha kufizimit që prodhoi situata, sakrificat për të mbijetuar veten dhe tjetrin, kundrejt një virusi që mund të jetë edhe një prodhim i egos për hir të vazhdimit të sagës së vet.

Njeriu rritet përditë. Rrugët janë plot me njerëz që bashkëjetojnë me një teknologji informacioni në lëvizje. Befasohesh që të gjithë janë të fokusuar te bota dhe presin ndryshimin duke ndryshuar veten, dispozitën.

Ky reflektim i shkurtër mori shkas nga një kërkim që desha të bëj ne një universitet të Louvenit mbi mjedisin njerëzor përpara pak vitesh. Por, përgjigja e trishtueshme që erdhi më bëri të mendohem gjatë: Që njeriu nuk qënkësh ende tematikisht i përfshirë si mjedis në teoritë e mjedisit. Një paradoks i çuditshëm ky, pasi të gjitha mjediset animohen kuptimisht prej tij dhe efektohen prej tij, aq larg sa rrok shqisa e tij, madje përtej mendjes.

Produkti sistemik i mjedisit njerëzor ka ezauruar mjedisin, por njeriu si mjedis i egos provon edhe të kundërtën: ai mund ta përtërijë mjedisin. Kultura, edukimi, mund të jetë formuese e një egoje në të cilën vetëkufizimi përmblidhet jo si dhunë, po si forma më e lartë e ndërvaresisë efikase që prodhon kënaqesi dhe shije. Si lumturi që tjetri është vazhdimi im ndryshe. Struktura dhe kultura është pikërisht uniteti përjashtues dhe integrues drejt përqafimit. Po ndodh e pandodhshmja: egoja mund të zgjedhë në të gjitha drejtimet dhe të vazhdojë në të gjitha drejtimet. Është pikërisht teknologjia që e beri egon të kudogjindshme dhe bashkë me këtë kontekstuale dhe empatike, për të gjitha ngjarjet dhe subjektet, marrëdhëniet dhe operimet, duke i dhënë një ridimensionim human dallimeve mes faktit dhe interpretimit, duke ndërruar pa pushim driverin dimensional social të përjetimit dhe kuptimit të faktit, deri në qëndrim. Një bote e re hapet përballë egos që jo thjesht e sfidon, por dhe e balancon atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Bashkimi Kombit” ka bërë agjitacion dhe propagandë kundër LNÇ, me…