Mjekë nga Amerika bënë kontrolle mjekësore falas për qytetarët e Mitrovicës
Organizata joqeveritare “Kosovo Hope”, në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, kanë organizuar të hënën vizita mjekësore me mjekë nga Amerika për qytetarët e Komunës së Mitrovicës.
Kësaj radhe mjekët amerikanë vizitat e tyre i kanë bërë në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në lagjen “Ilirida”.
Para se të fillojnë vizitat mjekësore, mjekët amerikanë, në krye me drejtuesin e ekipit Mike Sorrels, i ka vizituar kryetari i komunës, Agim Bahtiri, bashkë me nënkryetarin Faruk Mujka dhe drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë, Ersekë Hasanaj.
Bahtiri ka përshëndetur praninë e mjekëve amerikanë në Mitrovicë dhe i ka falënderuar për gatishmërinë e tyre që të ofrojnë përvojën dhe shërbimet e tyre për pacientët e komunës.
Ai ka thënë se Mitrovica dhe Kosova gjithmonë e kanë pas mbështetjen e pakursyer nga Amerika, për çka edhe shqiptarët i janë mirënjohës përjetë.
Drejtori i OJQ “Kosovo Hope”, Berat Gegaj, organizator i vizitës, ka thënë se qytetarët e Mitrovicës do të përfitojnë nga këto vizita, pasi që mjekët amerikanë si ekspertë të dalluar do të ofrojnë përvojën e tyre dhe do të këshillojnë pacientët për të tejkaluar problemet shëndetësore që kanë.
Po ashtu, ai i ka njoftuar se mjekët amerikanë do të shpërndajnë barna falas për pacientët që do i kontrollojnë.
/Epoka e re/