Mjekësia Emergjente në Kosovë përballet me mungesë të specialistëve të rinj
Drejtori i Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se sektori i emergjencës është duke u përballur me mungesë të theksuar të mjekëve të rinj të interesuar për të ndjekur karrierën në këtë fushë.
Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë për të rritur numrin e mjekëve të rinj, interesimi për specializimin në Mjekësinë Emergjente mbetet shumë i ulët.
“Ekipet e Qendrës Emergjente janë të kompletuara me staf, si me stafin mjekësor, specialist të mjekësisë emergjente, si me numër të infermierëve. Por një sfide e cila është permanente këto dhjet vitet e fundit, ose më shumë këto pesë vitet e fundit është numri i vogël i mjekeve të rijnë të cilët janë të interesuar për të vazhduar karrierën në mjekësi emergjente. Dy konkurset e fundit që ishte, të shpallura nga MSH-ja, që gjithsesi ta rrisim numrin dhe interesimin e mjekeve që ta marrin specializimin nga mjekësi emergjente, prapë se prapë është një numër shumë i vogël i të interesuarve. Për shembull vetëm në këto dy konkurset e fundit vetëm shtatë specializant e kanë marrë emergjencën do të thotë një kuadër deficitar për momentin jemi një prej kuadrove me deficitar në Kosovë”, ka thënë ai.
Ai theksoi se, megjithëse Qendra Emergjente është e kompletuar me staf të mjaftueshëm dhe ka përmirësuar kushtet për trajtimin e pacientëve falë renovimit të fundit, numri i mjekëve të rinj që interesohen për këtë fushë mbetet ende shumë i ulët.
Ai tha se janë 56 specialiste të emergjencës në krejt Kosovën që janë aktiv në sektorin publik, duke theksuar se për momentin mjekësi emergjente në spitalet rajonale i duhen edhe 36 specialist.
“Sa i përket Qendrës Emergjente jemi komplet të plotësuar, si me mjek si me infermier, edhe kur dihet tani qe në këtë vitin e fundit ka përfunduar edhe renovimi i qendrës emergjente, janë përmirësuar kushtet. Kushtet për trajtimin e pacienteve janë shumë më të mirë se sa ato që kanë qenë. Por prapë se prapë numri i të interesuarve për Mjekësin Emergjente është shumë i vogël. Ne diku jemi 56 specialiste të emergjencës në krejt Kosovën që janë aktiv në sektorin publik. Në këtë moment mjekësi emergjente i duhen edhe 36 specialist që i ketë në këtë moment, e kam fjalën për spitalet rajonale, që të arrimë minimumin e krejt minuminuave, nga dy specialist në një ndërrim. I kemi spitalet Rajonale si Gjilani, Gjakova, Peja, Mitrovica, Vushtrria, Ferizaj që janë pak me mirë është gjendja në Prizren. Që janë më të vërtet me numër shumë të vogël të specialistëve të emergjencës, ajo menjëherë reflektohet edhe të numri i pacienteve të cilët referohen në qendrën emergjente në QKUK, për çka se është plotësisht e arsyeshëm. Kjo për shkak se që kur e mban ndërrimin ne departamentin e emergjencës një mjek i cili është internist, apo i një lami tjetër, në mungesë të mjekut të specialistit të emergjencës, nuk është lami e tij që të merret me traumën, apo rastet akute të rrezikimit të jetës, atëherë edhe numri është më i lartë i pacientëve të cilët referohen në Qendrën emergjente”, ka thënë ai.
Për më tepër, ai përmendi faktin se Kosova ende nuk arrin të përmbushë standardet ndërkombëtare të OBSH-së për numrin e specialistëve të emergjencës, duke pasur një specialist për 10 mijë banorë, një raport që nuk e plotëson Kosova.
Pavarësisht mbështetjes financiare dhe subvencionimit të specializimeve nga MSH-ja, Syla theksoi se interesimi për t’u specializuar në këtë fushë mbetet shumë i ulët, çka ka ndikim të drejtpërdrejtë në përballimin e rasteve emergjente nëpër spitalet rajonale.
“Sipas OBSH-së një specialist i emergjencës duhet që të jetë për 10 mijë banor ne nuk e plotësojmë atë numër të mjekëve. Dihet se numri më të madh të specialistëve të emergjencave në botë e kanë ShBA, por edhe ata nuk e plotësojnë këtë statistikë. Ne jemi larg atij numri, jemi larg shumë edhe pse MSH-ja ka bërë disa përpjekje të shumta, na ka vendosur në listën e kuadrit deficitar i subvencionon specialistet dhe mjekët që punojnë ne emergjencë dhe ata që i marrin specializim emergjencën, do të thotë na ka subvencionuar këto vitet e fundit, diku mbi 200 euro me tepër se sa këto lami tjera të specializimit. Por prapë se prapë mund të them që interesimi është i vogël për fat të keq”, ka thënë ai.