
Mjekët në Klinikën e Ortopedisë kryejnë atroskopinë e parë të krahut
Në Klinikën e Ortopedisë një ekip i mjekëve specialistë ka kryer për herë të parë me atroskop një operim në krahun e një pacienti i cili për shkak të lëndimeve të shpeshta i kishte dhembje të padurueshme dhe lëvizjet i kishte të kufizuara.
Artroskopia është ndërhyrje kirurgjikale dhe kjo procedurë kryhet me anë të aparatit të artroskopit që përdoret për qëllime diagnostikimi dhe trajtimi të problemeve të ndryshme që mund të ketë artikulacioni (nyja).
Klinika e Ortopedisë është pajisur me këtë aparaturë dy muaj më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK me qëllim të rritjes së cilësisë të shërbimeve për pacientët.
Drejtori i Ortopedisë, Ilir Tolaj, ka thënë se më këtë aparaturë janë kryer intervenime edhe më herët, por në gju.
Tash me metodën minimale invazive pa e bërë hapjen e nyjës, sipas Tolajt është kryer një ndërhyrje kirurgjike edhe në krah.
“Është një metodë e re të cilën po e fusim në përdorim si klinikë dhe besoj që edhe në të ardhmen do të kemi raste të tilla më të shpeshta dhe në njëfarë forme ta bëjmë si rutinë”, është shprehur Tolaj.
Tolaj ka konstatuar se pacienti pas intervenimit mund ta lëvizë menjëherë krahun.
Madje ai ka folur edhe për çmimin e një ndërhyrjeje të tillë jashtë institucioneve publike shëndetësore.
“Nëse do të trajtohej jashtë institucioneve publike ky lloj operacioni kushton diku 3 000 euro. Pacienti menjëherë pas operacionit fillon me lëvizjen e krahut dhe i jepen këshillat për rehabilitim fizioterapeutik, normalisht gjithmonë rehabilitimi bëhet pa dhimbje”, ka theksuar ai.
Për natyrën e komplikuar të lëndimit ka folur edhe anesteziologu Agron Rugova. Ai ka thënë se tek pacientët në moshë të shtyrë veprimet e anestezionit janë më të kufizuara duke e quajtur këtë sfidë jo të vogël.
“Edhe për neve është pak me specifik për shkak të moshës që e ka pacienti. Është një pacient diku rreth 70 vjeç. Në këtë rast problemet shëndetësore na kufizojnë veprimin e anestezionit të këta njerëz e sidomos pozita e saj specifike që duhet të ulet dikur rreth 30 shkallë, domethënë në një pozitë gjysmë të drejtë të ulur që duhet gjithmonë pacientin ta përcjellim në aspektin hemodinamik”, ka deklaruar Rugova.
Ndërkohë Vasa Gashaj, pacientja e cila është operuar ka thënë se nuk ka pritur gjatë për intervenim dhe se tash ndihet mirë dhe më nuk ka dhimbje.
“Pas operacionit po ndihem më mirë se qysh kam qenë”, ka thënë Gashaj.
/Epoka e re/