Mjekët në Mianmar protestojnë kundër dhunës policore

21 mars 2021 | 13:41

Punëtorët shëndetësorë dolën në rrugë në Mianmar, që njihet edhe si Birmani – për të kundërshtuar dhunën e forcave të sigurisë ndaj protestuesve, të cilët janë kundër grusht shtetit dhe kërkojnë kthimin e një qeverie civile.

Mianmari është përballur me trazira që nga 1 shkurti pasi ushtria e zbatoi një grusht shtet dhe rrëzoi nga pushteti udhëheqësen, Aung San Suu Kyi.

Forcat e sigurisë kanë goditur protestuesit me forcë vdekjeprurëse.

Qindra mjekë dhe infermierë duke mbajtur fotografitë e udhëheqëses Suu Kyi marshuan në Mandalay, qyteti i dytë më i madh i Mianmarit, që njihet edhe si kryeqyteti kulturor i vendit.

Gati 250 vdekje janë konfirmuar pas grushtit të shtetit, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), edhe pse numri i vërtetë mund të jetë më i lartë.

Më shumë se 2.300 të tjerë janë arrestuar, ka thënë grupi, raporton “Rel”.

Kundërshtimi ndërkombëtar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara deri më tani nuk kanë arritur të ndalin trazirat.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të miratojnë sanksione kundër 11 zyrtarëve të juntës në një takim më 22 mars.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia ka nisur sulme ajrore në një zonë në veri…