Mjekët, objekt sulmi në vendin e tyre të punës
Dhjetëra raste të sulmeve fizike ndaj mjekëve në vendin e tyre të punës janë raportuar gjatë vitit 2019. Rasti më i ri ishte raportuar ai i sulmit fizik ndaj një mjeku në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, derisa ai po ofronte trajtim shëndetësor.
Oda e Mjekëve të Kosovës, kishte reaguar duke shprehur shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim me këtë rast.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë se në bazë të hulumtimeve të bëra në gjithë Kosovën, rezulton se 78.8 për qind e mjekëve kanë deklaruar se kanë përjetuar një formë të dhunës, qoftë fizike apo verbale.
Por, ajo që mbetet shqetësuese është se në 2.7 për qind të rasteve, dhuna ka vazhduar edhe jashtë institucioneve shëndetësore.
Një tjetër rast sulmi së voni, kishte ndodhur edhe në Spitalin e Ferizajt, kur një mjek, po ashtu, ishte sulmuar derisa po kryente punën e tij.
Jeton Zeqiri, drejtor i spitalit të Ferizajt, duke folur për “Radion Evropa e Lirë” ka treguar se si ka ndodhur ai rast në spitalin që ai udhëheq.
“Ka qenë kujdestaria e datës 6 nëntor, në orën 12 e 40 pas mesnate, kur ka ardhur pacienti me shtypje të lartë të gjakut dhe gjakderdhje nga hunda. Mjeku kujdestar ka filluar trajtimin, fillimisht për ta ulur shtypjen e lartë të gjakut. Familjarët thonë që ta tamponojnë pacientin, derisa ky i fundit iu shpjegon se duhet të presin deri në 10 minuta derisa të stabilizohet gjendja e pacientit dhe më pas ta bëj tamponimin, sepse përndryshe ka kundër indikacione”.
‘”Por, pas kësaj familjarët fillojnë sulmin ndaj mjekut, pra bëhet fjalë për njërin djalë të pacientit, derisa edhe dy djemtë e tjerë që ishin duke pritur jashtë, hyjnë në sallë dhe që të tre e sulmojnë mjekun. Më pas stafi mjekësor e qetëson situatën dhe e thërret policinë”, ka sqaruar Zeqiri.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/mjeket-objekt-sulmi-ne-vend-pune/30285115.html.